Numri i të infektuarve me llojin e ri të coronavirusit në Kinë është rritur në 440, kurse 9 persona kanë vdekur, kanë bërë të ditur sot zyrtarët kinezë të shëndetësisë.
Pacientët e infektuar janë identifikuar në 13 provinca kineze, ka njoftuar drejtori i Komisionit Nacional për Shëndetësi në Kinë, Lee Bin.
Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbajë sot një takim urgjent lidhur me coronvirusin e ri.
“Tashmë kemi raste të bartjes së virusit nga një person te tjetri, si dhe infektimit të stafit medicinal. Është dëshmuar se sëmundja bartet përmes traktit respirator dhe se ekziston mundësia të vie deri te mutacioni i virusit”, ka shtuar Lee.
Të gjithë pacientët e vdekur janë nga provinca Hubei ku edhe ka më së shumti të infektuar. Në anën tjetër organet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin turmat.
Megjithatë frika për zgjerimin e epidemisë është duke u rritur nga qasti në qast, pasi që miliona kinezë gjatë kësaj jave do të udhëtojnë për të festuar vitin e ri kinez, transmeton telegrafi.
E rastet me të infektuar me virus janë identifikuar edhe jashtë Kinës – në Tajvan, Filipine, Tajlandë, Japoni, Kore të Jugut, kurse është konfirmuar edhe një rast në SHBA.
Virusi i ri i përket grupit të viruseve që kanë shkaktuar SARS, sëmundje kjo që gjatë periudhës 2002-2003 ua mori jetën 800 personave në mbarë botën, dhe që gjithashtu kishte “lindur” në Kinë.