Përhapja e coronavirusit në nivel global, i ka shtyrë të gjitha qeveritë botërore që t’i përqendrojnë të gjitha angazhimet në parandalimin e përhapjes dhe luftimit të këtij virusi, i cili mund të jetë edhe vdekjeprurës.
Edhe në Kosovë, proceset politike kanë marrë kahe tjetër nga paraqitja e rasteve të para të sëmundjes me Covid-19, që shkaktohet nga coronavirusi i ri.
Në këtë aspekt, edhe vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mbetur tashmë në planin dytësor apo tretësor, pavarësisht faktit që Kuvendi i Kosovës, përkatësisht deputetët e partive në koalicionin qeverisës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Koosvës, miratuan gjatë fundjavës një rezolutë me të cilën autorizohet Qeveria e Kosovës si bartëse e dialogut me Serbinë.
Kjo rezolutë, përpiqet që të fuqizojë rolin e Qeverisë së Kosovës në dialog dhe margjinalizuar rolin e presidentit, Hashim Thaçi.
Analisti politik, Albert Krasniqi, thotë se dialogu do të jetë një interes i dorës së dytë, qoftë në vëmendjen e liderëve botërorë që kanë ndikim në këtë proces, e po ashtu edhe në vëmendjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
“Kështu që domosdoshmërish kjo për një periudhë të caktuar kohore do ta vendosë dialogun si një çështje, më pak të rëndësishme. Mendoj se [pezullim të iniciativave për dialog] do të ketë edhe për shkak, jo vetëm të këtij virusi, po edhe për shkak të ngjarjeve politike që janë në Serbi – pra atje do të jetë një proces zgjedhor, i cili mund të shtyhet edhe atje nëse do të ketë një përshkallëzim të epidemisë”, tha Krasniqi.
Krasniqi mendon se në rast se dialogu do të ishte në pikën e tij kulmore dhe vetëm do të pritej nënshkrimi i marrëveshjes, atëherë do të mund të pritej diçka e shpejtë drejt një marrëveshjeje. Por, siç thotë ai, procesi i negociatave, të paktën zyrtarisht do, të mbetet i ngrirë për një kohë të gjatë.
“Ky bllokim që mund të jetë potencial (për shkak të pandemisë). Është edhe në favor të palës kosovarë, pra në mënyrë që ta definojë nga brenda pozicionin e saj në gjithë ketë proces”, tha Krasaniqi, shkruan REL.
Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit 2018. Muajin e kaluar, Kurti ka shpalosur planin e tij për heqjen graduale të kësaj takse. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e plotë të saj.