Coronavirusi ngujon Basriun në Klinë

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Shumë futbollistë të vendeve të ndryshme të rajonit që luajnë në Superligën e Kosovës kanë mbetur të izoluar në Kosovë për shkak të përhapjes së Coronavirusit. Kjo po ndodh edhe për faktin se Qeveria e vendit tashmë ka vendosur t’i mbyllë të gjithë kufijtë tokësorë dhe ajrorë, përveç në raste të veçanta dhe lëvizja e tyre është bërë një mision i pamundur.

Në Kosovë prej të premtes së shkuar, kur u paraqitën rastet e para të të infektuarve me Coronavirus deri më tash numri i tyre ka shkuar në 20 sish. Në mesin e lojtarëve që ende nuk kanë mundur të largoheshin nga Kosova është edhe qendërmbrojtësi Elton Basriu, që është pjesë e Dukagjinit të Klinës, shkruan Koha Ditore. Basriu nuk ka mundur të kthehej në shtëpinë e tij, në qytetin e Elbasanit të Shqipërisë. Komuna e Klinës është e izoluar pas një rasti të konfirmuar me Coronavirus, duke bërë që mos të lejohen hyrjet e as daljet në këtë qytet. Përderisa shumë lojtarë të tjerë të Dukagjinit që janë nga qytetet për rreth kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre, Basriu është i vetmi që ka mbetur i bllokuar në Klinë. Qendërmbrojtësi i Dukagjinit ka thënë për gazetën të enjten se ende është duke qëndruar në Klinë shkaku i situatës së krijuar nga koronavirusi. Ai ka theksuar se deri më tani nuk ka provuar të shkojë në Elbasan, pasi qyteti është në izolim.

“Situata në Klinë është e komplikuar dhe është e vështirë për ne lojtarët të qëndrojmë kështu. Sidomos kur kjo po ndodh në mes të sezonit dhe pa asnjë diskutim, kjo gjendje tani është shumë e vështirë. Unë besoj që Klina si qytet i bukur që është, do ta kalojë edhe këtë sfidë, e cila e ka kapluar tërë globin”, ka thënë Basriu. “Të them të drejtën, për shkak se Klina është në karantinë, deri më tani nuk kam provuar që të dal dhe të tentoj të shkoj në Elbasan. Këtë e kam bërë edhe për ta ruajtur shëndetin tim dhe të familjes”.

Ai shtoi se ditët në vazhdim, së bashku edhe me sulmuesin e Ballkanit, Artur Magani, e kanë në plan që të shkojnë në Shqipëri. Magani është në qytetin e Suharekës, i cili nuk është futur në karantinë. Basriu thotë se do të tentojë të largohet nga Klina, por mbetet të shihet nëse do t’i lejohet një gjë e tillë.

“Sigurisht do të shoh situatën dhe në ditët që po vijnë, e kemi në plan së bashku me shokun tim, Arturin, të tentojmë të nisemi për në Shqipëri. Nuk e di a do të na lënë të kalojmë, por ne do ta provojmë”, tha Basriu.

Të ngjashme