Coronavirusi nuk ndal trafikantët, kapen 613 kg kanabis në Kurbin

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Krimi nuk pyet as për koronavirusin, megjithëse këto ditë po përjetohen me shumë ankth jo vetëm nga shqiptarët. Policia e Kurbinit ka sekuestruar një sasi relativisht të madhe prej 613 kg kanabis dhe ka arrestuar dy persona.

Bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta trafikuar, punonjës të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor në “Godull”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi shtetasve:

-S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin;

-R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë;

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Të ngjashme