Disa prej liderëve të Evropës janë akuzuar se po përfitojnë prej krizës së shëndetit publik për të shtypur pakënaqësinë dhe për të fuqizuar pushtetin e tyre.
Me Turqinë që po arreston qindra persona sherri i postimeve në media sociale dhe me rusët që po kërcënohen me burgosje për çfarëdo që mund të konsiderohet lajm i rremë, ka ngritje të frikës se demokracia po rrezikohet në Poloni dhe se tashmë e ka marrë pusi në Hungari.
Korrespodentët e BBC-së vlerësojnë nëse koronavirusi po përdoret si mbulim për kapje të shtetit.
“Vetëvrasja” e Parlamentit e bën mbret Orbanin
Korrespodenti i BBC-së në Budapest, Nick Thorpe, shkruan se kryeministri i gjithëpushtetshëm i Hungarisë, Viktor Orban, po akuzohet brenda e jashtë vendit se po përdor krizën e koronavirusit për të rrëmbyer më shumë kompetenca, në vend se ta unifikojë vendin.
Së pari, Qeveria e Fideszit, partia e tij, shpalli gjendje të rrezikut të lartë në vend më 11 mars, duke fituar kohë të çmuar për t’u përgatitur për pandeminë. Por pastaj e përdori shumicën parlamentare për t’i zgjeruar kompetencat pafundësisht, me qëllim që Qeveria të ketë pushtet për të sunduar me dekrete për aq kohë sa është e domosdoshme dhe mund të vendosë vetë se kur konsiderohet se rreziku ka kaluar.
Kritikët flasin për fundin e demokracisë së Hungarisë, por ministri i Drejtësisë ngulmon në të tijën se “Akti i Autorizimit” do të skadojë në fund të gjendjes së jashtëzakonshme dhe se ishte masë e domosdoshme dhe e duhur.
Por a është ky fundi i demokracisë? Eksperti i së drejtës kushtetuese, profesori Zoltan Szente, paralajmëron se pandemia shumë lehtë mund të përdoret për t’i ruajtur kompetencat e jashtëzakonshme të Qeverisë.
Dhe meqë është në dorën e Qeverisë për të përcaktuar se ku mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ai thotë se Parlamenti faktikisht ka kryer “vetëvrasje” duke ia dorëzuar të drejtën e vet të kontrollit Qeverisë së Orbanit.
Në teori, ende janë edhe tri kompetenca thelbësore për ta kontrolluar pushtetin e Orbanit: Parlamenti mbetet aktiv derisa nuk do ta ndalë pandemia; ende funksionon Gjykata Kushtetuese; dhe zgjedhjet e përgjithshme mbetet të mbahen sipas afatit më 2022.
Por partia Fidesz e Orbanit ka shumicë vendimtare në Parlament, dhe të gjitha referendumet dhe zgjedhjet janë shtyrë deri në fund të krizës.
Gjykata Kushtetuese tashmë është mbushur me njerëz të preferuar të Orbanit, por një halë në sy ka mbetur për kryeministrin drejtësia gjerësisht e pavarur e Hungarisë.
Partia në pushtet duhet t’i ruajë dy të tretat në Parlament për ta emëruar kryetarin e ri të Gjykatës Supreme deri në fund të këtij viti. Atëherë, pushteti i Orbanit do të ishte pothuajse i pakontrollueshëm.
“Moment i artë” për Erdoganin
Orla Guerin, reportere e BBC-së nga Stambolli, thotë se presidenti luftues i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk ka pse ta përdorë shpërthimin e koronavirusit për të uzurpuar pushtetin, sepse ai tashmë e ka bërë këtë. Kjo është pikëpamja e aktivistëve të këtushëm të të drejtave të njeriut.
“Ka një sistem aq të centralizuar saqë nuk ka nevojë për kapje të mëtejshme të pushtetit”, thekson Emma Sinclair-Webb, drejtoreshë e “Human Rights Watch” për Turqi.
Megjithatë, ajo thotë se kishte një përpjekje oportuniste “për t’i testuar ujërat” me propozimet për të ngritur kontrollin ndaj kompanive të mediave sociale. Ato janë “varrosur thellë” në ligjin që trajton kryesisht masat ekonomike për të reduktuar ndikimin e koronavirusit.
Qëllimi, thekson ajo, ishte që “platformat e gjithëfuqishme të mediave sociale t’i nënshtroheshin kontrollit dhe censurës qeveritare”. Befasisht u hoq dorë prej ndryshimeve të draftuara, por Sinclair-Webb pret se ato do të kthehen në të ardhmen.
Qeveria e Turqisë është e vendosur të kontrollojë narrativen gjatë krizës së koronavirusit. Qindra qytetarë janë arrestuar për shkak të “postimeve provokuese” për COVID-19 në mediat sociale.
Dhe pak mjekë kanë pasur kurajën që të flisnin hapur.
“Fshehja e fakteve dhe krijimi i monopolit të informacionit fatkeqësisht u kthye në normë me të cilën po sundohet vendi”, thekson Ali Çerkezoglu nga Asociacioni i Mjekëve Turq. “Mjekët, infermieret dhe punëtorët shëndetësorë janë mësuar me këtë qe njëzet vjet”.
Avokatja Hurrem Sonmez shqetësohet se pandemia mund të kthehet në një mundësi të artë për presidentin Erdogan.
“Shoqëria dhe opozita janë të dobët për shkak të pandemisë”, thekson Sonmez, e cila ka mbrojtur klientë në raste të lirisë së shprehjes. “Të gjithë kanë të njëjtën agjendë – virusin. Prioriteti është të mbijetohet. Ka një shqetësim serioz se situata mund të keqpërdoret prej kësaj qeverie”.
Pandemia ia prish planet Putinit
Korrespodenti tjetër i BBC-së, Steve Rosenberg, i cili raporton nga Moska, thotë se deri në janar, Kremlini pretendonte se gjithçka po shkonte fjollë.
Do të ndryshohej Kushtetuta ruse, me qëllimin kryesor që t’i lejohej Vladimir Putinit e drejta për të mbetur edhe dy mandate president i vendit. Pastaj do të mbahej një “votim kombëtar” triumfal më 22 prill që rusët t’i mbështesnin ndryshimet. Kritikët e presidentit e kanë quajtur këtë “puç kushtetues”, por dukej se kjo tashmë ishte punë e kryer.
Megjithatë, COVID-19 ka lënë gjithçka pezull. Presidenti Putin ka shtyrë votimin: mbi të gjitha, si mund të ftohen njerëzit që të dalin të votojnë në kulmin e një pandemie? Halli i tanishëm i Kremlinit është se nëse dhe kur mund të mbahet votimi, meqë ndryshimet kushtetuese mund të jenë gjëja e fundit që iu shkon në mend rusëve.
Koronavirusi pritet të dërrmojë ekonominë e këtushme, me parashikimet për një recesion prej dy vjetësh dhe me miliona vende të humbura pune.
Rusët priren t’i fajësojnë zyrtarët dhe burokratët lokalë, e jo autoritetin qendror për problemet e tyre të përditshme. Por historia tregon se kur qytetarët e këtushëm përjetojnë probleme akute personale në kuletë, zemërimin dhe dufin e nxjerrin kundër liderit të vendit. Dhe kjo tkurrje e dhimbshme ekonomike duket e pashmangshme tani.
Kjo mund të shpjegojë se pse lideri i Kremlinit së fundmi ka deleguar kompetenca te guvernatorët lokalë për ta luftuar koronavirusin: tani ata ndajnë përgjegjësinë.
Mbështetësit e Putinit, përfshirë mediat shtetërore, do të pretendojnë se në një krizë kombëtare, Rusisë i duhet një lidership i fuqishëm dhe i qëndrueshëm më shumë se kurrë – me fjalë të tjera: se epoka e Putinit duhet të zgjatet. Sa për kritikët e Kremlinit, ata tashmë kanë kauzuar autoritetet për përdorim të pandemisë për të shtrënguar kontrollin pushtetor.
Një ligj i ri u aprovua ngutshëm në Parlament, imponon ndëshkime të serta për këdo që shpallet fajtor për atë që mund të jetë lajm i rremë për koronavirusin: gjobat janë të barasvlershme me 25 mijë dollarë, ose më shumë se pesë vjet burg. Ka shqetësime për sistemet e përgjimeve që po përdoren për të zbatuar karantinën.
Mbyllja nënkupton edhe se nuk mund të mbahen protesta opozitare: tubimet masive janë ndaluar së fundmi për të frenuar përhapjen e virusit.
A po e rrezikon Qeveria polake jetën e qytetarëve për pushtet?
Adam Easton, korrespodent i BBC-së në Varshavë, vlerëson se Qeveria e Polonisë po akuzohet se po rrezikon me mendjelehtësi jetën e qytetarëve, duke iu bërë thirrje që të dalin në zgjedhjet presidenciale të majit në kulmin e pandemisë. Presidenti Andrzej Duda, aleat i Qeverisë, ka shënuar ngritje të mbështetjes në pandemi dhe padyshim se shihet si favorit për fitore.
Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet pretendon se e ka obligim kushtetues që të mbajë zgjedhjet dhe votimi nëpërmjet postës është opsioni më i sigurt në kohën e mbylljes.
Ky është opsioni i preferuar, por ka mbështetje të kësaj partie edhe për ndryshim të Kushtetutës polake për t’ia lejuar presidentit Duda të shërbejë edhe dy vjet në krye të vendit, përderisa nuk mund të ketë zgjedhje.
Opozita thotë se votimi postar rrezikon votuesit, punëtorët e postës dhe personelin e zgjedhjeve. BE-ja dhe Komisioni Zgjedhor i Polonisë kanë ngritur shqetësime edhe për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ka një shtegdalje legale për të pritur, ngulmon opozita, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme që ndalon zgjedhjet gjatë kohës sa zbatohen masat kufizuese dhe nëntëdhjetë ditë më pas. Qeveria thotë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të legjitimonte pretendimet për kontroll pushteti.
Nëse zgjedhjet mbahen në maj, nuk mund të jenë të drejta, thonë grupet për të drejtat e njeriut, sepse kandidatët kanë anuluar fushatat e tyre, përderisa presidenti aktual gëzon mbulim të madh mediatik me ndihmën dhënë Qeverisë dhe me vizitat personelit shëndetësor.
Nëse do të shtyheshin zgjedhjet, Polonia shumë lehtë mund të jetë në kulmin e një recesioni, dhe mundësitë e zotit Duda për rizgjedhje do të mund të zbeheshin thelbësisht. Kur zgjidhet një kandidat opozitar, kompetencat e vetos së presidentit të ri do të mund të shpartallonin aftësinë e Qeverisë për të çuar përpara programin e saj gjatë kohës së mbetur të mandatit – tre vjet e gjysmë.
“Ky është një doracak libror se si mund të përfitohet më së shumti nga kriza dhe të mbash pushtetin”, thekson Malgorzata Szuleka, avokat i Fondit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Varshavë.