Coronavirusi, rregullat e dasmave në Britani

Prishtinë | 30 Qer 2020 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Baballarët nuk mund të shoqërojnë më bijat e tyre për krahu drejt altarit të martesës dhe çiftet duhet të lajnë duart para dhe pas shkëmbimit të unazave, thuhet në rregullat e reja të martesave pas izolimit të Coronavirusit.

Qeveria britanike ka dhënë lejen për rinisjen e ceremonive martesore, shoqëruar me udhëzime si ruajtje kategorike e distancës mes njerëzve që vijnë nga familje të ndryshme.

Rregullorja thotë se ceremonitë e martesave apo bashkimeve civile duhet të përshtaten për eliminimin e praktikave që sjellin kontakt me njëri-tjetrin, përveç rasteve kur kjo kërkohet nga ligji.

Në udhëzime shtohet se “kur nevojitet kontakti, duhet të merren masa për minimizimin e tij dhe të kuadrit kohor kur kontakti ndodh”.

Kjo do të thotë se baballarët nuk do të mund të shoqërojnë më bijat e tyre për krahu drejt altarit dhe njerëzit nga shtëpi të ndryshme nuk do të mund të puthen ose përqafohen.

Çiftet janë paralajmëruar se ceremonitë duhet të zhvillohen vetëm në një mjedis “të sigurtë Covid-19” dhe të mbahen sa më të shkurtra që është e mundur, transmeton TCH.

Qeveria britanike tha se numri i pjesmarrësve ‘duhet të mbahet në një minimum’, por do të lejohen të marrin pjesë deri në 30 të ftuar, përcjell albinfo.ch.

Në këto të fundit do të përfshihen çifti, dëshmitarët, zyrtarët e të ftuarit, dhe persona të tjerë të nevojshëm si fotografë, roje sigurie dhe kujdestarë për ushqimin.

Njerëzit udhëzohen gjithashtu të mos “bërtasin ose ngrejnë zërin, apo të mos vënë muzikë të lartë që vështirëson të kuptuarit e bisedës pasi kjo i detyron ata të ngrenë zërin dhe rrjedhimisht shtimin e piklave transmetuese të Covid-19.

Qeveria rekomandon që të përdoren këngë të regjistruara në vend të atyre të kënduara ‘Live’.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme