Konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” (GLPS, GAP dhe INDEP), kanë publikuar të hënën raportin “Transparenca në përcaktimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, përballë këtyre sfidave, përcaktimi i tarifave është bërë edhe më i rëndësishëm, duke nxitur debate publike për mënyrën si ZRRE dhe institucionet përkatëse kanë menaxhuar këtë proces dhe transparencën e tyre, veçanërisht për bllok-tarifat që kanë prekur drejtpërdrejt buxhetet familjare.
Naim Bujupi nga INDEP, ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë, është treguar transparentë në përcaktimin e tarifave.
“Është me rëndësi që procesi tarifor të jetë i qartë dhe transparentë, për shkak të prek interesin qytetar, prek bizneset në përgjithësi. Në dokument, transparencën e kemi vlerësuar në tri rrafshe: e para ka qenë aspekti legjislativ e dyta ka qenë se kanë qenë publike dokumentet dhe e treta ka qenë se sa palët e interesit kanë qenë të involvuara”.
“Sa i përket pjesës legjislative ne e kemi vërejtur se rregullatori ka qenë në përgjithësi transparent sepse së pari ka bërë publike të gjitha ato që janë të nevojshme për përcaktimin e tarifës dha gjithashtu ka bërë publike të gjitha dokumentet relevante që kanë të bëjnë me procesin tarifor. Sa i përket vitit 2021, ZRrE ka bërë publikimin të gjitha dokumentet relevante, gjithashtu ka hapur afatet për diskutim dhe komente. Gjatë periudhës 2021-2024, kriza globale e energjisë e nxitur nga çrregullimet në tregun ndërkombëtar, ka përkeqësuar situatën energjetike në Kosovë, duke çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt te konsumatorët, duke rritur koston e energjisë për ekonomitë familjare dhe sektorin privat”, u shpreh Bujupi.