CorrWatch kërkon të rishqyrtohet procesi i i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit

Prishtinë | 28 Qer 2024 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa CorrWatch, konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe si pasojë e njëjta duhet rishqyrtuar. 

CorrWatch ka evidentuar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vendosur në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës si dhe dëshminë se ndaj kandidatit nuk ka masë disiplinore në fuqi përkundër që në konkurs është përcaktuar në mënyrë eksplicite që aplikacionet e mangëta do të refuzohen.

CorrWatch ka ngritur këto shqetësime tek MPB si dhe te komisioni vlerësues dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara. Edhe pas kësaj, institucioni në fjalë ka vazhduar tutje me procesin e rekrutimit (fazën e testimit me shkrim), duke shkelur ligjin dhe duke legjitimuar një proces jo ligjor.

Ndonëse në listën aktuale të publikuar nga rezultatet e verifikimit paraprak janë 7 kandidatë të listuar, CorrWatch konsideron që vetëm 5 nga kandidatët plotësojnë në tërësi kriteret e përgjithshme ligjore.

Andaj CorrWatch konsideron që lista e ngushtë e publikuar nuk është valide dhe duhet rishqyrtuar nga institucioni dhe konsideron që procedimi i mëtutjeshëm pa u trajtuar kjo çështje paraqet shkelje serioze të ligjit.

CorrWatch i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave të tjera përgjegjëse që të reflektojnë mbi këtë proces, dhe rrjedhimisht, t’a rishikojnë këtë fazë të procesit.

Të ngjashme