Iniciativa CorrWatch përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për procesin e rekrutimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi sipas tyre, ky proces i rekrutimit është karakterizuar me shkelje ligjore.
Në njoftim thuhet se CorrWatch gjatë monitorimit të këtij procesi ka identifikuar se është tejkaluar afati për mbajtjen e intervistave. Rregullorja (QRK) Nr. 05/2024 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (QRK) Nr. 15/2023 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, paragrafi 8 i nenit 10A thekson që “Pas vlerësimit të testimit me shkrim, vlerësimi i kandidatëve vazhdon me intervistën, e cila realizohet në mënyrë verbale e cila duhet të përfundojë më së voni pesëmbëdhjete (15) ditë pas përfundimit të vlerësimit të testit me shkrim.” Ndërsa në këtë rast kishin kaluar 21 ditë nga mbajtja e testit me shkrim deri te intervistat.
Më tej në reagim thuhej se këtë shqetësim CorrWatch e ka ngritur tek Ministria e Mbrojtjes ku ka kërkuar anulimin e këtij procesi. Në të njëjtën kohë, CorrWatch i është drejtuar edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), pasi që të njëjtit kishin trajtuar një ankesë për ketë procedurë ku edhe kishin kthyer në rivlerësim një pjesë të vlerësimit të kandidatit, kurse pjesën e tejkalimeve të afateve ligjore nuk e kishin trajtuar fare. Por nga të njëjtit CorrWatch nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Përkundër kësaj, me datë 11 shtator 2024, Në mbledhjen e 220-të të Qeverisë së Kosovës, është emëruar njëri prej kandidatëve si Sekretar i Përgjithshëm të Ministrisë e Mbrojtjes.
“CorrWatch bënë thirrje të gjitha institucioneve kompetente të marrin të gjitha veprimet e parapara ligjore. Në të njëjtën kohë ripërsërisim kërkesën tonë drejtuar KPMSHCK për monitorim të jashtëzakonshëm të procesit rekrutues, i cili realizohet në raste të shkeljeve ligjore në shërbimin civil në mënyrë që të rivendoset ligjshmëria. Sinqerisht GLPS, Instituti GAP & INDEP”, thuhet në njoftim.