Thibaut Courtois ka thënë se nuk është i shqetësuar për kritikat rreth formës së tij, pasi po punon në sukseset e skuadrës.
Portieri belg ka arritur ta mbajë vetëm dy herë portën e paprekur në shtatë ndeshje të zhvilluara, e që tifozët e Los Blancos po e kritikojnë atë.
Courtois startoi në derbin lokal në mes të Atletico Madridit dhe Real Madridit mbrëmë, në përballjen që përfundoi pa gola.
“Kritikat nuk ndikojnë tek unë. Pa marrë parasysh nëse ato vijnë nga tifozët kundërshtarë apo nga diku tjetër”, ka thënë belgu pas ndeshjes.
“Unë i analizojë ndeshjet me persona që kanë njohuri rreth futbollit dhe ky është opsioni im i vetëm”.
“Biseda ime zhvillohet vetëm me trajnerët dhe me bashkëlojtarët e mi rreth formës time”, ka shtuar më tej Courtois.
Portieri belg do të jetë kryesori për ndeshjet e Real Madridit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, derisa Alphonse Areola do të jetë në Kupën e Mbretit.