Covey: Sami Lushtaku ishte shumë popullor, nuk mund të arrestohej pa prova të mjaftueshme

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari amerikan James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, ka folur për vendimet e marra nga UNMIK dhe KFOR lidhur me arrestimin e Sami Lushtakut gjatë periudhës së pasluftës në Kosovë.

Prokuroria prezantoi një pjesë nga libri i Covey-t, ku shkruhej se “Sami Lushtaku kishte pasur pozicion drejtues në UÇK gjatë konfliktit dhe ishte njohur si ‘lord lufte’”. Në libër, ai konsiderohej përgjegjës jo vetëm për të “terrorizuar serbët, por edhe për vrasjen e shqiptarëve” që besohej se kishin bashkëpunuar me regjimin serb para konfliktit.

Libri theksonte gjithashtu se policia kishte synuar ta arrestonte Lushtakun, por për shkak të mungesës së dëshmitarëve dhe nevojës për prova të forta, ishte vendosur të mos ndërmerrej veprim i menjëhershëm, duke koordinuar me KFOR-in për të siguruar infrastrukturë të fortë civile dhe ushtarake.

Covey konfirmoi se fjalët janë të tijat dhe sqaroi më tej situatën: “Po, fjalët e mija janë, por unë do të doja ta shtjelloja më tej këtë,” duke theksuar rëndësinë e vendimit që arrestimi të mos bëhej pa prova të mjaftueshme. Ai shpjegoi se Lushtaku, si komandant i zonës në Drenicë, kishte reputacionin e një rrugaçi dhe ndikim të madh në zonën e tij.

“Vendimi për arrestimin e tij do të ndodhte kur të kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuza dhe çështja gjyqësore të merrte fund më shpejt. Pra, nuk do të ishte e saktë të thuhej se kishte vendim që ai të mos arrestohej. Vendimi ishte që para se të arrestohej të siguroheshin prova. Ai ishte shumë popullor, kishte shumë mbështetje në zonën e tij dhe ne e dinim këtë. Edhe rrugaçët janë të njohur dhe kanë mbështetje. Vendimi ishte që mund ta ndalonit atë nëse kishit elemente dhe prova të mjaftueshme,” tha Covey.

Ai komentoi edhe një rast tjetër të përmendur nga Kouchner, ku Lushtaku keqtrajtoi një doktor në terren futbolli: “Kouchner shkruan se në një rast tjetër Sami Lushtaku, heroi i luftës, keqtrajtoi një doktor në terren futbolli, a duhej të burgosej, nuk mendova që duhej të bëhej diçka e tillë. Një vit pas zgjedhjeve që ishin mbajtur me sukses unë fajësohesha për këtë. Cila ishte zgjidhja më e mirë, zgjedhje demokratike apo një arrestim heroik për çështje të rënda? Lushtaku u arrestua më vonë. Këto ngjarje, në mënyrën e tyre, ishin të gjitha dështime që mbetën mbi ne.”

Covey e vlerësoi vendimin si pragmatik dhe praktik: “Pragmatike dhe praktike, admiroj formulimin e Kouchner sepse ai ishte mbrojtur nga vendimi duke e ditur se mund të ishte kontravers. Ishte zgjidhje praktike, nuk e kuptoj se si është ndryshe nga ajo që thashë më herët.”

Ai theksoi se shqetësimi kryesor ishte stabiliteti rajonal: “Unë mora përgjegjësinë për këtë. Ne diskutuam këtë çështje me gjeneralin Jackson dhe ai pajtohej me ne, por unë kisha synimin të merrja përgjegjësinë për këtë në rast se gjërat përkeqësoheshin.”

Për të ilustruar situatën komplekse, Covey përdori një metaforë: “UNMIK dhe KFOR kishin autoritet të madh dhe dukej se ishin të fuqishëm, por aftësia e tyre për të zbatuar autoritetin ishte shumë e kufizuar. Ne përdornim një metaforë të makinave të sportit në akull. Pra, ishim të kujdesshëm në ushtrimin e autoritetit që të mos kundërshtohej dhe të mos mposhtej si autoritet. Në këtë kuptim, situatë praktike, vendim pragmatik. Siç e kuptoj unë, Sami Lushtaku është arrestuar herën e parë pas shërbimit tonë në Kosovë.”

Në vazhdimin e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari James Peter Covey ka folur për deklaratat e tij që lidhen me incidentet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai theksoi se ato deklarata nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Hashim Thaçin, por me vlerësimet e bëra për rolin që ai ka pasur në atë kohë.

“Deklarata ime ka të bëjë me vlerësimet tona me rolin që ka luajtur Thaçi. Rol të hamendësuar apo real lidhur me këto incidente. Deklarata ime tregon kryesisht gjykimin tonë lidhur me autoritetin që ka pasur ai për individë të cilët është pohuar apo jo që kanë kryer këto krime. Sipas mendimit tim, asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zotin Thaçi, apo asnjë prej tyre nuk kundërshton mënyrën se përse ne kemi arritur në gjykimin që kemi arritur” – theksoi Covey.

Ai reagoi edhe ndaj prokurores Vega Iodice, duke i thënë se ajo nuk e kishte sqaruar ende këtë aspekt, pasi po i përsëriste vazhdimisht raportet për incidente. “Unë nuk mendoj që ju e keni sqaruar këtë çështje duke përsëritur raporte lidhur me këto incidente gjatë gjithë kohës”- tha dëshmitari.

Prokurorja iu përgjigj duke theksuar se çdo koment mbi një dokument do të lidhej me pjesë të deklaratës së tij. Covey reagoi sërish, duke thënë: “Ju po e nxirrni të gjithë deklaratën time jashtë konteksti”.

Ish-zyrtari amerikan theksoi se krimet që pretendohej se janë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar vetë, por shtoi se raportimet për ngjarje të tilla kanë qenë të përhapura.

Këto deklarata erdhën pasi prokuroria prezantoi një libër të tij, ku thuhej se “kur trupat e NATO-s filluan që të arrijnë në fund të qershorit 1999, rreth 100 civilë vriteshin çdo javë- kryesisht serbë. UÇK-ja i quante serbët që ishin të përfshirë në luftë dhe kolaboracionistë që ishin në mes grupeve etnike të tjera, veçanërisht romët dhe turqit, por edhe shqiptarët etnik që konsideroheshin thjesht si bashkëpunëtorë me pushtuesin serb”.

Sipas prokurores, në këtë libër përmendej se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës. Covey tha se kjo pjesë kishte të bënte vetëm me ekstremistët e UÇK-së, duke distancuar përgjithësimin.

Prokuroria prezantoi edhe një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi dhe Mal të Zi, i përgatitur në janar të vitit 1999. Në këtë raport thuhej se elementë të UÇK-së kishin kryer vrasje dhe ishin përgjegjës për zhdukje, rrëmbime dhe mbajtje në ndalim të policëve serbë dhe civilëve, përfshirë edhe shqiptarë të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë. Po ashtu, aty theksohej se në disa raste të izoluara ishin zhvilluar gjykime pa proces ligjor të rregullt dhe kishte pasur raporte për tortura.

Covey mohoi të kishte parë ndonjëherë një dokument të tillë. “Këtë dokument nuk e kam parë kurrë. Ato që përshkruhen në këtë paragraf ishin dhe po e vë në thonjëza ‘diçka që e dinin të gjithë’. Por, nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentimit të rasteve konkrete dhe individuale” – sqaroi Covey.

Në të njëjtin raport përmendej se UÇK-ja kishte mbajtur të ndaluar për dy ditë 13 anëtarë të delegacionit të partive shqiptare në Çirez dhe se këta persona raportohej se ishin torturuar gjatë kohës sa qëndruan në ndalim.

Covey tha se ky lloj raportimi kishte qenë i përhapur, por nuk ishte i sigurt nëse lidhej me përfundimet e tij. “Siç e thash, ky lloj raportimi ka qenë i përhapur. Por, po e përsëris, jam i shqetësuar nëse kjo ka ndonjë lidhje me përfundimet që kam shprehur unë në deklaratë”-  tha dëshmitari.

Me kërkesë të saj, dokumenti u pranua si provë materiale, pasi nuk pati kundërshtime nga mbrojtja. Disa pjesë të seancës u zhvilluan në sesion privat për shkak të trajtimit të një dokumenti konfidenciale.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vijoi me ballafaqimin e dëshmitarit amerikan James Peter Covey me një libër të botuar në vitin 2005, ku ai vet kishte kontribuar.

Në këtë libër, Covey kishte përshkruar se si gjatë periudhës së sundimit të Millosheviqit, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte ngritur një sistem paralel të sofistikuar, duke drejtuar shkollat, spitalet dhe shërbimet bazë për komunitetin shqiptar. Ai kishte theksuar gjithashtu se në fillim të viteve ’90, një pjesë e studentëve dhe nacionalistëve shqiptarë e shihnin LDK-në si pjesë të strukturës serbe dhe Ibrahim Rugovën si instrument të saj.

Në shkrim përmendej edhe se disa prej këtyre udhëheqësve të rinj të lëvizjeve studentore, përfshirë Hashim Thaçin, më vonë dolën në skenë si figura kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ta, takimet e Rugovës me Millosheviqin shiheshin si dëshmi e bashkëpunimit.

Prokuroria citoi këtë pjesë dhe e pyeti Coveyn nëse këto fjalë i ka shkruar ai.

“Këto kanë qenë fjalët tuaja në vitin 2005, a po?”

Dëshmitari i katërt i mbrojtjes dha një sqarim sa i përket asaj që shkruhej në libër.

“Që të jem i saktë, kur kam thënë ‘janë bërë personazhe kryesorë në UÇK’, nuk kam përshkruar rolet e tyre,”- tha Covey.

Pas kësaj, faqja e librit u pranua nga trupi gjykues si provë.

Më tej, dëshmitari u pyet edhe për paradën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbajtur më 18 shtator 1999 në Prishtinë.

“Nuk më kujtohet qartë,” tha Covey fillimisht, por pasi u shfaq një video ku shiheshin afro 2000 ushtarë duke parakaluar në stadium, ai shtoi: “Po, më duket si Thaçi, kurse aty afër tij është gjenerali Çeku. Nuk më kujtohet konkretisht kjo paradë, por mund të ketë ndodhur meqë po afronte afati.”

Edhe ky material, ndonëse u kundërshtua nga mbrojtja, u pranua nga trupi gjykues si provë

Dokumenti në Hagë – Thaçi e Veseli kishin furnizuar UÇK-në me granatahedhës më 1997

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot ka vijuar procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, u pyet për njohurit e tij për UÇK-në.

Gjatë seancës, prokuroria e pyeti atë nëse kishte pasur dijeni që UÇK-ja kishte nisur një sulm të sinkronizuar ndaj stacioneve policore serbe në shtator të vitit 1997, ku ishin përdorur granatahedhës.

“Po përpiqem të kuptoj ku kam qenë në atë kohë, mund të kem pasur dijeni”, tha ai, pa dhënë një përgjigje të prerë.

I pyetur nëse kishte dijeni se kush i kishte sjellë këto granatahedhës në Kosovë një muaj para sulmeve, Covey u përgjigj shkurt: “Jo”.

Në sallë u shfaq më pas një intervistë e vitit 2003 me Rexhep Selimin, në të cilën ai fliste për logjistikën dhe furnizimin e UÇK-së. Selimi kishte thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin sjellë mortaja dore në Jabllanicë në gusht të vitit 1997.

“Kishim 11 të tilla, tre erdhën në forma të tjera. Më pas kemi pasur 14 për t’i përgatitur për veprime me 11 shtator të vitit 1997. Deri atëherë nuk i kemi përdorur asnjë prej tyre, pavarësisht se kishim nevojë. Kjo u bë me qëllim që Serbia të mos merrte masa sepse kjo llogaritej armë e madhe dhe donim ta zinim në befasi, sikur edhe e bëmë. Patëm 14 mortaja dhe bëmë 14 sulme. Po t’i kishim 20, do t’i sulmonim 20”, kishte deklaruar Selimi në atë intervistë.

I pyetur nga gjykata nëse i kujtohej kjo ngjarje, Covey tha: “Jo”.

Prokuroria kërkoi që dokumenti të pranohej si provë, duke argumentuar se ishte i rëndësishëm për dëshminë e Coveyt, pasi ai kishte theksuar se Thaçi nuk kishte qenë ushtarak, ndërsa në dokument përmendej se ai kishte sjellë armë për UÇK-në.

Mbrojtja e të pandehurve e kundërshtoi pranimin, duke thënë se dëshmitari nuk kishte dhënë asgjë mbi këto zhvillime. Megjithatë, trupi gjykues vendosi që dokumenti të pranohej.

Në vijim, dëshmitari u pyet edhe për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK, por ai u shpreh: “Nuk kam njohuri për rolin e tyre”.

Ish-zëvendësi i Bernard Kouchner vazhdon dëshminë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në bankën e dëshmitarëve këtë të mërkurë, në Gjykatën Speciale ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen katër ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojë dëshminë amerikani James Peter Covey.

Nga korriku i vitit 1999 e deri më 2001, Covey ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner.

Gjatë marrjes në pyetje nga ekipi mbrojtës i Thaçit, ditën e martë, dëshmitari James Peter Covey foli për raportin që Hashim Thaçi kishte me komandantët e zonave të UÇK-së.

Covey theksoi se komandantët kishin një mungesë respekti ndaj Thaçit.

“Ai që fliste në emër të UÇK-së ishte Agim Çeku. Kjo më kujtohet fare qartë, sepse dukej që po konfirmonte atë që ne besonim në fillim për z. Thaçin, se ai kishte marrëdhënie të ndërlikuara me komandantët në terren dhe se ata kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, nuk kishin respekt për të,” – deklaroi Covey.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, e pyeti dëshmitarin amerikan nëse e kishte konsideruar ndonjëherë Thaçin si komandant të përgjithshëm të UÇK-së.

“Jo, flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant. Diplomatët dhe burokratët shpeshherë kanë dijeni për nevojën që duhet t’i shërbejnë një interesi të caktuar,” – theksoi Covey.

James Peter Covey përmendi edhe punën e Këshillit Tranzitor të Kosovës. Ish-zyrtari i lartë ndërkombëtar rrëfeu për vështirësitë që kishte pasur UNMIK-u për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët nga Këshilli Tranzitor i Kosovës, pas vrasjeve të vitit 1999.

Covey tregoi se Bernard Kouchner, shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, kishte kërkuar një deklaratë nga ky këshill, si trup përfaqësues, që do të dënonte vrasjet dhe do të bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës.

“Bernard Kouchner shpresonte të merrte një deklaratë nga Këshilli Tranzitor i Kosovës si një trup që dënonte vrasjet dhe që shprehte nevojën për mos ekzistencën e dhunës. Dhe mbaj mend që ishte e pamundur të sigurohej një deklaratë e tillë. Asnjë nga personat që ishin të pranishëm në takimin e dytë të këshillit nuk donte ta nënshkruante një deklaratë të tillë,” – deklaroi Covey në ditën e parë të dëshmisë së tij.

Ai tregoi gjithashtu për prapaskenat e disa takimeve që UÇK-ja kishte zhvilluar me përfaqësues të LDK-së, duke theksuar faktin se në atë kohë LDK-ja nuk merrte vendime sepse, siç tha ai, “nuk e kishin liderin e tyre,” duke aluduar tek Ibrahim Rugova.

Gjatë dëshmisë së së martës, në sallë u shfaqën disa dokumente që tregonin se UÇK-ja ishte e ndarë në fraksione politike, teksa u veçua momenti kur Hashim Thaçi kishte deklaruar se do të formonte parti politike.

Në këtë kontekst, u përmend edhe vizita e Hashim Thaçit në Prekaz në shtator të vitit 1999, ku thuhej se Thaçi kishte kërkuar nga Rifat Jashari mbështetje për projektin e tij.

Seanca e sotme ka nisur në orën 09:00, por transmetimi i saj publik bëhet me 45 minuta vonesë. James Peter Covey është dëshmitari i katërt i ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Para tij kanë dëshmuar James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan – të tre të përfshirë personalisht në zhvillimet rreth Konferencës së Rambujes dhe në negociatat për demilitarizimin e UÇK-së.

Të ngjashme