76 persona janë konfirmuar me COVID-19 deri më tani në Malishevë. Nga ta janë shëruar 57, e 18 janë ende të prekur me virus, ndërkaq 1 ka vdekur nga kjo komunë. Rastet e fundit në Malishevë u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës, ku 3 persona rezultuan pozitivë në testimet për koronavirus. Kreu i kësaj komune, Ragip Begaj.
Malisheva ishte njëra ndër komunat e para të prekura me virusin COVID-19 në Kosovë.
Kjo komunë printe në listën e vendeve me më së shumti persona të infektuar.
Mirëpo, 57 persona nga Malisheva të cilët ishin prekur me virusin COVID-19 tashmë janë shëruar.
Kryetari Ragip Begaj tha për Express se rastet e fundit që rezultuan positive në Malishevë janë kontakte të personit i cili kishte qenë në dializë në Prizren dhe është konfirmuar me COVID-19 para pak ditësh.
“Rastet e mbrëmshme janë raste kontakti me qytetarin nga Malisheva i cili ka qenë në dializë në Prizren. Ai është konfirmuar me COVID-19 para 4-5 ditësh”, ka treguar Begaj.
Begaj tha se lajmi i mirë në Malishevë është se deri më tani nga 76 persona sa është totali i të prekurve në këtë komunë, 57 janë shëruar.
“Në total i kemi pasur 76 raste. Deri tani janë shëruar 57 persona, 18 janë ende duke u trajtuar ndërkaq fatkeqësisht 1 person ka vdekur”, tha Begaj.
Ai shtoi se në Klinikën Infektive të QKUK’së po trajtohen 4 banorë të Malishevës të cilët janë të prekur me COVID-19, ndërkaq 14 të tjerë po trajtohen nëpër shtëpitë e tyre.
Begaj tha se në vazhdimësi po gjurmohen kontaktet e personave të prekur me koronavirus.
Malisheva po vazhdon të qëndrojë e izoluar, ndërkaq Begaj tha se ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të largohet karantina nga kjo komunë.
“Jemi ende në karantinë, ia kam bërë kërkesën Ministrisë së Shëndetësisë që të largohemi nga karantina. Duhet të kemi kujdes të shtuar mirëpo karantina besoj se duhet të largohet”, deklaroi Begaj.
Ndërkohë, numri i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 799.
Nga ta janë shëruar 249, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.
Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.