Kryetari i Ulqinit, njëherësh kryetar i Forcës së Re Demokratike, Nafiz Cungu, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi lë shumë për të dëshiruar, sepse, si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm për dekada me radhë, trojet e shqiptarëve në Mal të Zi janë zhytur në varfëri.
Ai ka theksuar se diskriminimi ka bërë që një përqindje shumë e madhe e bashkëkombësve tanë ta braktisin vendlindjen dhe të kërkojnë një jetë më të mirë në emigracion. Po ashtu, Cungu ka thënë se presioni i vazhdueshëm diskriminues ka çuar në asimilimin e një pjese të mirë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi.
“Me anën e koalicionit të ri qeverisës ku marrim pjesë ne kemi mundur t’i përmbushim disa prej kërkesave legjitime të shqiptarëve sikurse është përdorimi i simboleve dhe gjuhës shqipe në trojet tona. Po ashtu, qeveria e ka miratuar formimin e Komunës së Tuzit dhe së shpejti presim që Kuvendi i Malit të Zi ta miratojë ligjin që e mundëson këtë komunë të dytë me shumicë shqiptare”, ka deklaruar Cungu në një intervistë për “Epoka e re”.
Ai ka bërë me dije se për një periudhë të gjatë Komuna e Ulqinit ka qenë e neglizhuar dhe diskriminuar nga pushteti qendror dhe nuk ka përfituar nga investimet publike shtetërore. Përpos kësaj, Cungu ka thënë se edhe qeverisja e mëparshme komunale ka lënë shumë për të dëshiruar dhe jo vetëm se nuk ka bërë punët dhe investimet që kanë pasur nevojë qytetarët, por e kanë mbushur buxhetin e komunës me borxhe të mëdha të cilat ende jemi duke i paguar.
“Ne shqiptarët e Malit të Zi duam më të mirën për Kosovën dhe dëshirojmë ta shohim të ecë përpara në procesin e integrimit evropian. Prandaj mendoj se do të ishte mirë që sa më parë të gjitha palët të mblidhen bashkë, duke lënë mënjanë interesat apo qëndrimet partiake, e të gjejnë një kompromis për ta nxjerrë vendin nga izolimi dhe për t’ua mundësuar udhëtimin pa viza qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Cungu.