Stephen Curry e dha më të mirën e tij në këtë ndeshje, por ai nuk arriti t’i sigurojë fitore Golden State Warriors-ave në ndeshjen e tretë të serisë finale të NBA, kundër Toronto Raptors. Mysafirët e fituan ndeshjen me rezultat 123:109.
Golden State Warrios e mori një goditje të madhe të mërkurën në mbrëmje edhe para se të kishte ndeshja. Trajneri Steve Kerr vendosi që të mos e rrezikonte Klay Thompsonin për këtë ndeshje, për shkak të lëndimit që e pësoi në ndeshjen e kaluar, transmeton Gazeta Express.
Warriors-ave u mungonte edhe Kevin Durant, i cili nuk dihet kur do të kthehet, dhe Kevon Looney, i cili do të mungojë për të gjithë serinë finale, për shkak të lëndimeve. Me mungesën edhe të Thompsonit, Toronto dëshmoi të jetë sfidë tejet e vështirë për kampionin në fuqi.
Toronto Raports e shfrytëzoi këtë formacion të gjymtuar nga lëndimet të Warriors dhe arriti t’i mbijetojë goditjeve të shumta që Stephen Curry ia dha gjatë gjithë ndeshjes. Tani, Raptors e kryeson finalen 2:1 dhe është vetëm dy fitore larg titullit të parë në histori. Ndeshja e katërt do të zhvillohet të premten në Oracle Arena.
Kawhi Leonard ishte koshashënuesi më i mirë i Torontos me 30 pikë, ndërsa Kyle Lowry e përfundoi ndeshjen me 23 pikë dhe nëntë asiste. Danny Green i shënoi gjashtë nga 10 tentimet e tij për trepikësh, duke e përfunduar ndeshjen me 18 pikë.
“Mendojnë se koshat e Dannyt ia rritën vetëbesimin të gjithë skuadrës”, ka thënë trajneri i Raptors, Nick Nurse.
Në mungesë të Thompsonit dhe Durantit, Curry i shënoi plot 47 pikë, si dhe i bëri tetë kërcime dhe shtatë asiste. Ky është rekordi i tij më i mirë personal në finale të NVBA.
“Tentuam t’i bëjmë pak më shumë presion atij duke e mbrojtur me nga dy lojtarë, por kjo nuk ka rëndësi, apo jo? Dua të them, babai im më thoshte se statistikat nuk kanë rëndësi – vetëm rezultati përfundimtar. Kështu që ne do ta marrin këtë fitore dhe do të jemi falënderues”, shtoi Nurse.
Draymond Green kontribuoi te Warriors me 17 pikë.
Mbetet të shihet nëse Warriors do të përforcohet me ndonjërin prej lojtarëve të lënduar në kohë për ndeshjen e katërt, edhe pse trajneri Steve Kerr nuk ishte shumë premtues me deklaratat e tij për Durantin para disfatës së djeshme. Sa i përket Thompsonit, ai kishte dashur të luante edhe mbrëmë dhe madje kishte filluar të nxehet para ndeshjes, por trajneri vendosi të mos e rrezikojë.
“I gjithë qëllimi ishte të mos e rrezikoja ndonjë lëndim më të madh që do ta mbante atë jashtë për të gjithë serinë. Kështu që ky ishte vendimi ynë dhe unë ndihem rehat për këtë. Nuk do ta kisha falur kurrë veten nëse do të vendosja të luajë me të sonte dhe ai të lëndohej”, tha Kerr.
Përkundër kontributit të madh të Curryt, Golden State nuk mund ta përmbante Toronton, që për dallim nga kundërshtari, nuk e pati asnjë lojtar të lënduar dhe po luante me formacionin më të mirë.
Warriors e kishte fituar ndeshjen e dytë në Toronto për ta barazuar serinë finale, mirëpo tani Toronto e ka marrë sërish epërsinë. Skuadra e parë që i arrin katër fitore shpallet kampione e NBA për këtë edicion.
Mungesa e Thompsonit ishte edhe problematike, por edhe e paprecedentë. Thompson nuk kishte munguar në asnjë ndeshje të play-offit për Warriors. Ai ka luajtur në mbi 120 ndeshje gjatë shtatë sezoneve të fundit.
Të mërkurën, kjo ecuri e tij mori fund, përderisa Toronto Raptors e bëri një hap të madh drejt triumfit të parë në histori të klubit në NBA.