Komuna e Prishtinës ka shkelur ligjin në kontratën 12 milionëshe për shërbimin “Arkitekti i Kryeqytetit”, duke caktuar në komision të vlerësimit të ofertave një person i cili nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës. Kështu u tha në konferencën për media të organizuar nga Demokraci Plus (D+), raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, anëtari i komisionit për vlerësimin e tenderëve, Kreshnik Ferizi, nuk ishte pjesë e komunës së Prishtinës, duke qenë se kontrata e tij me komunën kishte përfunduar më datë 31 dhjetor të vitit 2022.
Ardit Dragusha, hulumtues në Demokracy Plus, ka paraqitur, siç tha ai, prova që dëshmojnë shkelje të procedurave të tenderimit.
“Rregullorja e Prokurimit Publik përcakton se autoritetet kontraktuese kanë të drejtë të angazhojnë ekspertë të jashtëm, në rastet kur kërkohet njohuri dhe ekspertizë e veçantë teknike dhe që ekspertët e tillë nuk janë në dispozicion brenda autoritetit kontraktues. Mirëpo, Kreshnik Ferizi, nuk ishte as i angazhuar as si ekspert i jashtëm në kohën kur mori pjesë në komisionin për vlerësimin e ofertave për këtë tender. Përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komision, ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, duke qenë se grupi i operatorëve ekonomik ‘Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit’, të cilët u shpallën fitues nga komisioni e ku anëtar ishte Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacion ku vetë Kreshnik Ferizi figuronte si bashkëpunëtor i Kompanisë ‘Anarch Sh.P.K’”, tha Dragusha.
Për këtë në një komunikatë për media, Demokraci Plus (D+), ka thënë se përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi vetëm e kësaj organizate.
Ky reagim është publikuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian dhe SMART Balkans. Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e Demokraci Plus (D+) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe SMART Balkans. Projekti “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe efiçiencës në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik në Kosovë” i financuar nga BE dhe SMART Balkans, zbatohet nga Demokraci Plus (D+).