D4D diskuton për gjuhën e urrejtjes me gazetarë e njohës të fushës, konsiderohet sfidë globale

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 18:54 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Çka duhet të bëjnë gazetarët në media?, ishte temë diskutimi në sallonin e së martës të organizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), raporton Ekonomia Online.

Panelistët ishin gazetarë, njohës të mediave e të rrjeteve sociale, teksa konsideruan se luftimi i gjuhës së urrejtjes është krizë globale.

Fitore Rexhepi, gazetare në mediumin publik, tha se gazetarët kanë rol kyç në parandalimin e gjuhës së urrejtjes ngase ndikojnë në orientimin e audiencës.

Ajo më pas shtoi se në Kosovë funksionojnë mbi 20 televizione e shumë mediume të tjera që shumicën e rasteve synim kanë klikimet, në mënyrë që të japin lajmin të parët e ai të jetë sensacional.

“Gjuha e urrejtjes është sfidë globale realisht, po ndodh edhe në Kosovë dhe është e rrezikshme. Unë mendoj se rolin e rëndësishëm dhe kyç e kanë gazetarët në parandalimin e gjuhës së urrejtjes sepse ne kemi një rol të rëndësishëm në orientimin e audiencës”.

“Sot po flasim për një publik që e dëshirojmë zhurmën, dhe duke e harruar pak këtë punën e klikimeve dhe duke i’u kthyer kësaj gazetarisë tradicionale. Sot në Kosovë janë mbi 21 televizione e shumë media elektronike dhe shumë prej tyre nga ora 20:20, nuk kanë kujdes në frymën e raportimit. Ne e dimë se kjo puna e klikimeve është më me prioritet në kuptimin për ta dhënë lajmin i pari dhe për ta bërë sensacionin”.

Zyrtari ligjor në BIRN, Labinot Leposhtica, tha se në vend ka pasur raste kur fjala e dhënë dhe promovuar nga mediat, ka përfunduar tragjikisht, duke përmendur rastin e një gruaje të komunitetit rom, raporton EO.

Ai madje tha se në shumë raste folësit nuk janë të vetëdijshëm që po shpërndajnë gjuhë të urrejtjes, edhe pse sipas tij, kjo nuk është e arsyeshme, por që është masë lehtësuese.

“Diçka që u përmend ishte dokumentimi. Folësit nuk janë të vetëdijshëm se janë duke thënë diçka që është gjuhë e urrejtjes, pra kjo nuk e arsyeton, mosnjohja mund të konsiderohet si rrethanë lehtësuese, por jo shfajësuese në tërësi. Kundërvënia ndaj këtij problemi shumë serioz fillon nga vetëdijesimi”.

“Në Kosovë është goxha tragjike që kemi raste kur fjala e dhënë dhe promovuar nga mediat, ka përfunduar tragjikisht. Më kujtohet një rast kur ka qenë totalisht e gabuar në mënyrën e raportimit, ku rasti ka qenë që me një grua të komunitetit rom për të cilën është raportuar se vjedh fëmijë, pa asnjë lloj verifikimi, pa asnjë lloj informate të besueshme”, tha ai.

Menaxheri i rrjeteve sociale në Kosovë, Valon Kerolli, tha se pre e gjuhës së urrejtjes janë faqet e mëdha. Ai apeloi tek mediet që mos të jenë të varur shumë nëpër rrjetet sociale, pasi sipas tij, një mbyllje e tyre do të jetë fatale për 90 për qind të mediave.

“Si në krejt botën është e vështirë me i menaxhu rrjetet sociale, por besoj se këtu në Kosovë është më e vështire, sepse tek ne po shkojnë pas viralitetit, po duan që ta bëjnë sa më shumë virale sepse po shikohet më shumë. Realisht njerëzit e thjeshtë ose personat fizik e kanë më të vështirë me përhap në rrjetet sociale gjuhë të urrejtjes. Kryesisht tek ne, gjuhë të urrejtjes bëhet në faqe të mëdha të mediave, sepse mediet në Kosovë, unë personalisht preferoj që mos me u var shumë nëpër rrjetet sociale, tek ne shumë tregu medial ka rrëshqitur në rrjetet sociale”, u shpreh ai, teksa shtoi se nëse mbyllen rrjetet sociale, mbyllen edhe mbi 90 për qind të mediave.

Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, tha se e drejta e lirisë së shprehjes nuk është e drejtë e pakufizuar “dhe se nuk guxojmë tw themi bash çka duam”.

“Në Kosovë kemi pas raste të dhunës që unë vlerësoj se kanë mundur të vijnë për shkak të zhvillimeve online. Liria e shprehjes është e drejtë e garantuar me konventën ndërkombëtare, dhe na garanton neve me pas e me shpreh atë mendim dhe me u informu. Mirëpo e drejta e lirisë së shprehjes nuk është e drejtë e pakufizuar. Ne nuk kemi të drejtë me thënë bash çka duam. Për shembull një person mundet me mëndu për akte terroriste dhe për aq kohë sa nuk e shpreh atë mendim, nuk ka ndonjë pasojë por nëse e shpreh atë mendim dhe nëse fillon me ndërmarrë masa, atëherë lindin pasojat”, u shpreh ajo.

Të ngjashme