Demokraci për Zhvillim (D4D) mbajti një konferencë për media, ku prezantoi Indeksin e Pjesëmarrjes së të Rinjve në Politikë, Jetën Sociale dhe Ekonomike për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
Ky raport synon të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të gjendjes së të rinjve në Kosovë dhe rajon, duke u fokusuar në përfshirjen e tyre në tri fusha kyçe.
Rrezart Krasniqi, drejtor ekzekutiv në D4D, theksoi se një nga sfidat më të mëdha për të rinjtë mbetet papërputhshmëria e studimeve me nevojat e tregut të punës.
“Për shumë të rinj, procesi i edukimit edhe punësimit është një cikël shumë i gjatë dhe në fund, pas përfundimit të studimeve, vendosen në pasiguri në gjetjen e vendeve të punës dhe këtu qëndron bashkëpunimi me shoqërinë civile i institucioneve. Nuk mund të flasim gjithmonë për të ardhme pa folur për disa nga sfidat që prekin fëmijët tanë, që është një e gjetur e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë, që është braktisja e shkollës në disa cikle. Andaj pabarazia fillon edhe në këtë pjesë”, tha ai.
Ndërsa, Ferid Murseli nga D4D, i cili prezantoi të gjeturat e raportit, tha se në aspektin politik Kosova qëndron më mirë në krahasim me shtetet e rajonit dhe me Turqinë.
“Ne indeksin e politikës, Kosova qëndron ma mirë në krahasim me shtetet e rajonit, por edhe Turqinë. Për shembull, te pjesa e deputetëve. Te indeksi i pjesëmarrjes në ekonomi, kemi dalë në këtë pjesë në krahasim me vendet e rajonit, më keq. Te pjesa e papunësisë jemi më keq te pjesa e gjinisë femërore. Edhe pse papunësinë nuk e kemi keq me vendet e tjera, vetëm te kjo pjesa e gjinisë. Te indeksi i pjesëmarrjes sociale, të rinjtë që janë pjesë e sistemit të mirëqenies sociale”, theksoi Murseli.
