Demokracia për Zhvillim (D4D) ka organizuar konferencën Media Talk Day, një ngjarje që synon të forcojë edukimin medial, të rrisë standardet e gazetarisë dhe të adresojë çështjen e dezinformimit gjinor në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë konferencës është prezantuar platforma e re digjitale “Verifiko.info”, e cila do t’u shërbejë nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollave të mesme për zhvillimin e shkathtësive në edukim medial dhe mendim kritik.
Përfaqësuesja e D4D-së, Rrezarta Delibashzade Krasniqi, tha se analiza e organizatës ka treguar qartë nevojën për ndërhyrje të drejtpërdrejta në edukimin medial të qytetarëve.
“Mbi 15 raporte tona që i kemi publikuar, kemi identifikuar saktësisht se ku duhet t’i bëjmë ndërhyrjet në vendin tonë. Sipas kontekstit kosovar, për të ulur nivelin e dezinformimit dhe nivelin e shpërndarjes së lajmeve që përmbajnë çrregullim. Kemi kërkuar që të kemi edhe afrim institucional të këtyre rasteve. Bazuar në disa nga rekomandimet tona ndër vite, kemi vendosur që të fillojmë një punë intensive duke prekur kategoritë më të cenueshme në këtë drejtim, që janë të rinjtë dhe të moshuarit”, tha ajo.
Krasniqi shtoi se informatat e rreme shpërndahen me shpejtësi dhe nevoja për ndërhyrje është urgjente.
“Në ditët e sotme, informacioni hapet me shpejtësinë e një klikimi. Analiza dhe filtrimi që duhet bërë informatave të tilla po zhvillohet paralelisht me të nxënit e mësimit në klasat e para. Pikërisht për këtë arsye kemi vendosur që të lansojmë sot platformën ‘Verifiko.info’, i cili është një mjet digjital i krijuar për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të mesme për të forcuar shkathtësitë për edukim medial dhe mendim kritik”, tha ajo.
Ajo theksoi se kjo platformë nuk është vetëm një mjet mësimor klasik, por një thirrje për vetëdijesim më të madh ndaj manipulimeve të informacionit.
“Kjo platformë nuk është një metodë klasike por një hapësirë mësimore, por është një ftesë për gjithë të rinjtë që të jenë më të vetëdijshëm ndaj manipulimeve të ndryshme të informatave. Ne jemi përpjekur që të krijojmë një platformë që identifikon lajmet e pavërteta, lajmet e manipuluara dhe gjithashtu të forcojmë një trekëndësh që është i rëndësishëm për mësim-nxënien në Kosovë, që është institucioni arsimor, nxënësi dhe prindi”, tha ajo.
Në konferencë u prezantuan edhe gjetje nga analiza e boshllëqeve në media, ku D4D ka krahasuar mënyrën e raportimit dhe verifikimit të fakteve në Kosovë me standardet e Bashkimit Evropian.
“Një nga të gjeturat del se të gjitha mediat, pavarësisht nëse janë të licencuara nga KPM-ja apo janë anëtare të Komisionit të Mediave të Shkruara të Kosovës, nuk e bëjnë gjithmonë të dukshme pajtueshmërinë e tyre me rregullat e punës që janë anëtare të KPM apo KMSHK-së. Dhe shpesh dëshmojnë që të promovojnë respektimin e kodit të etikës. Ka përjashtim të mediave të cilat punojnë me shumë përkushtim në këtë drejtim, por ka edhe media që nuk e respektojnë këtë dhe po e dëmtojnë tregun medial”, tha ajo.
Ndërsa Anila Kadiu Alaj, përfaqësuese e projektit, theksoi rëndësinë që projekti ka për avancimin e çështjeve kyçe për një shoqëri demokratike.
“Projekti përkrah avancimin e çështjeve kyçe për një shoqëri demokratike, të cilat janë barazia gjinore, transparenca e medias dhe integriteti i informacioneve. Është një ftesë për reflektim, dhe veprim përballë sfidave që na prekin të gjithëve”, tha ajo.
Ajo theksoi se gratë janë më të ekspozuara ndaj dezinformimit dhe gjuhës diskriminuese.
“Gratë vazhdojnë që të përballen me diskurse diskriminuese, e në veçanti ato që marrin guximin të zënë vend në politikë dhe në hapësira të rëndësishme publike. Pastaj informimi i drejtë dhe media transparente nuk janë luks, janë parakusht për demokraci funksionale dhe qytetari aktive”, tha ajo.
Po ashtu, gjatë kësaj konference është publikuar edhe raporti i monitorimit mbi dezinformimin gjinor, me fokus në mënyrën se si mediat online i paraqesin dhe i sulmojnë gratë në politikë. Raporti evidenton përhapjen e gjuhës mizogjine dhe ndikimin negativ që kjo ka në pjesëmarrjen demokratike dhe në përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.


