Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, nesër vjen për vizitë zyrtare në Kosovë.
Bashkëbiseduesit në Prishtinë, kryediplomatit nga Berlini pritet mes tjerash t’ia prezentojnë dhe qasjen e tyre të re në politikën e jashtme.
Mu në këtë fushë kosovarët i kanë prioritetet e tyre.
Në një anketë me mbi njëmijë respondentë të bërë nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) dolën tre top prioritete.
E para është liberalizimi i vizave, e dyta Integrimi në Bashkimin Evropian dhe e treta anëtarësimi në NATO.
Anketa që është bërë në krejt Kosovën me banorë të të gjitha etnive, nxjerrë dhe të dhëna tjera interesante.
Rritjen e njohjeve e preferojnë mbi 10% e të anketuarve, kurse prioritizimi i finalizimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi ka rënë në krahasim me raportin e 2021.
“Krahasuar me vitin e kaluar 2020, sivjet pra më 2021 kemi rënie deri në 9% të vendosjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi si prioritet i politikës së jashtme” thotë Visar Xhambazi, hulumtues në D4D.
Ndryshe, anëtarësimi i Kosovës në organizata të mëdha botërore sikur Këshilli i Evropës, OKB e Interpol, sipas anketës mbetet poshtë në prioritetet e kosovarëve për politikën e jashtme.