Beograd, 28 nëntor – Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, jo rrallë shkakton të qeshura në opinion me gjykimet e tij politike sa naive, aq të paqëndrueshme.
Sot ka shfaqur një margaritar të këtij lloji: “Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar pse në Kosovë shënohet festa shtetërore e Shqipërisë, Dita e Flamurit Shqiptar”, duke u shtirë se nuk e di që në Kosovë mbi 90 për qind e popullsisë përbëhet nga shqiptarë, se me atë flamur u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe se në atë akt morën pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet e populluara prej tyre, pra edhe nga Kosova, se përdorimi i simboleve kombëtare është një e drejtë e njohur ndërkombëtarisht, se kjo ditë në Kosovë festohet që nga viti 1968, se askush në Kosovë nuk ua ka ndaluar përdorimin e flamurit të Serbisë, as të Malit të Zi, as të Turqisë…, rikujton Koha.net.
Daçiq madje ka thënë se do t’i propozojë presidentit të tij, Aleksandar Vuçiq, që të shpallë festë kombëtare Ditën e Flamurit serb, e “Pastaj, do të shohim nëse dikush do të thotë se kjo është plotësisht legjitime…” është shprehur ai, duke shtuar se “Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar pse në Kosovë shënohet festa shtetërore e Shqipërisë, Dita e Flamurit Shqiptar”.