Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq – ish-zëdhënës i partisë së Sllobodan Millosheviqit – e ka çuar propagandën kundër Kosovës edhe në Këshillin për të Drejta të Njeriut në OKB duke pretenduar se serbëve të Kosovës “u shkelen sistematikisht të drejtat e njeriut “ dhe se “serbët në Kosovës jetojnë në një atmosferë frike”.
“Për vendin tim, Serbinë, tragjedia që një pjesë e popullsisë së saj ka kaluar me dekada në Kosovë është një shembull veçanërisht i dhimbshëm dhe i papranueshëm. Populli ynë në Kosovë jeton në një atmosferë të frikës nga persekutimi dhe dhuna për një çerek shekulli. Serbëve u janë mohuar sistematikisht shumë të drejta themelore të njeriut, të garantuara nga Karta e OKB-së dhe dokumente të tjera themelore ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën për lirinë e lëvizjes, shprehjen e lirë të vullnetit në zgjedhje, të drejtën për pronë, zhvillimin ekonomik, madje edhe të drejtën për jeta”, ka thënë Daçiq në seancën e 55 të UNHRC-së.