Daçiq: Kemi të drejtë të jemi të nervozuar me Izraelin

Prishtinë | 04 Shk 2021 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

“Ne kemi të drejtë të zemërohemi me Izraelin për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse gjithmonë kemi thënë që Kosova është Jerusalemi ynë”, tha mbrëmë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha për mediat serbe se lëvizja nga Izraeli ndoshta do të ketë pasoja në marrëdhëniet midis atyre dhe Serbisë.

“Ne gjithmonë kemi thënë që Kosova është Jerusalemi ynë. […] Kështu që nuk mund të mos ketë pasoja në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Izraelit”, tha Daçiq kur u pyet për ta komentuar deklaratën e ambasadorit të Izraelit në Serbi, Jahel Villan, i cili tha se shpreson që njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do t’i prishë marrëdhëniet e mira midis Serbisë dhe Izraelit.

Kjo njohje e Izraelit, thotë Daçiq, është tregues tjetër se çdo vend dhe popull në botë e sheh interesin e tij mbi të gjitha, dhe këtu, shton ai, interesi i Izraelit ishte që “një vend mysliman të hapte një ambasadë në Jerusalem”.

“Po të mos ishte Amerika, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, theksoi Daçiq.

Të ngjashme