Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia shpejt do ta ketë një përgjigje për Kosovën që po vazhdon të lobojë për njohje të pavarësisë, pasi kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk është ndalë një proces i tillë.
Ai tha se në një marrëveshje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të kenë gati një përgjigje, njofton Klan Kosova.
Daçiq po thotë se nuk u befasua nga deklarata e Hotit dhe kujtoi që Beogradi, menjëherë pas njoftimit të të dërguarit special Richard Grenell, shprehu dyshim se Prishtina do të respektonte marrëveshjen për të hequr dorë nga lobimi.
“Ata gënjejnë gjatë gjithë kohës gjatë dialogut, gënjeshtra është baza e ekzistencës së tyre. Ata nuk duan asnjë marrëveshje apo kompromis, ata thjesht duan që Serbia të njohë Kosovën”, deklaroi Daçiq për Sputnik.
Ai theksoi se një sjellje e tillë është absolutisht e papranueshme për Serbinë.
Daçiq iu referua një postimi në Twitter të datës 15 qershor se Kosova dhe Serbia janë dakorduar që të ndalin fushatën e çnjohjes.
“Lajm i shkëlqyeshëm! Kam marrë angazhimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë se do të ndalojnë përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Ëashington, DC në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për diskutime për dialogun”, kishte shkruar Grenell.