Dajaku fillon të bëhet i rëndësishëm për Hajdukun e Splitit

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Dajaku fillon të bëhet i rëndësishëm për Hajdukun e Splitit

Hajduku i Splitit ka filluar kampionatin në Kroaci me pesë fitore rresht. Udhëheq në tabelë me 15 pikë, ndërsa tifozët e zjarrtë nga Spliti shpresojnë që skuadra e tyre ta fitojë titullin pas një kohe të gjatë.

Fitoren e fundit Hajduku e shënoi ndaj Varazhdinit. Të shtunën mbrëma në Varazhdin, skuadra e “Torcidës” së famshme fitoi 2:1.

Golin e fitores e shënoi kosovari Leon Dajaku në minutën e 86-të. Ai mori top të bukur në zonë dhe gjuajti saktë për 2:1. Dajaku në lojë hyri në minutën e 65-të në vend të Emir Sahitit, lojtarit tjetër nga Kosova.

Dajaku ende është vetëm rezervist te Hajduku. Në të gjitha pesë ndeshjet e deritashme është aktivizuar si zëvendësues. Por ka nisur të bëhet i rëndësishëm. Goli i fitores ndaj Varazhdinit e dëshmon këtë. Ai kishte shënuar edhe në fitoren 3:0 ndaj Slaven Belupos.

“Mikanoviq u kujdes që ta kem të lehtë të shënoj gol. Më dha top të shkëlqyer. Jam i lumtur që kam mundur ta ndihmoj skuadrën kur kam hyrë. Edhe për mua është me rëndësi që kam shënuar edhe një gol tjetër dhe që kemi fituar. Ishte fitore e rëndësishme, pasi ndeshje si kjo do ta vendosin kampionatin. Ishte vështirë, kundërshtar i fortë. Varazhdini ishte i mirë, por e kemi ditur se duhet të qëndrojmë të qetë deri në minutën e 90-të apo 95-të dhe që rasti ynë do të vijë”, ka thënë Dajaku.

Ndeshjen e ardhshme Hajduku e luan ndaj Istrës.

“Duhet të vazhdojmë me lojën tonë. Kampionati vetëm sa ka nisur. Duhet ta fitojmë secilën ndeshje”, ka shtuar 22-vjeçari.

Ai është transferuar në Hajduk me synim për ta kthyer karrierën në rrugën e duhur. Dikur vlerësohej talent i madh i Bayernit, por pa ia dalë të shpërthejë në nivelin senior te gjiganti bavarez. Dajaku ka pasur periudha të pasuksesshme tek Union Berlini, Sunderlandi dhe St. Galleni. Tani po luan në Kroaci, me synim për t’u kthyer sërish në vendet evropiane me futbollin më të zhvilluar. Dajaku ka luajtur deri në grupmoshën U19 të Gjermanisë. Kishte refuzuar ftesën që të bashkohet me Kosovën U21.

Të ngjashme