Dajaku po hap shumë dyer me vetëm pak minuta lojë të mirë

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesit 17-vjeçar nga Kosova, Leon Dajaku, i ka mjaftuar një çerek ore lojë për të treguar potencialin që ka, por edhe për të bindur trajnerin e Stuttgartit, Markus Weinzierl, se me gjithë moshën e re mund të luajë në Bundesligë.

Pas shkëlqimit në ndeshjen e kaluar, kur edhe debutoi me Stuttgartin, duke u bërë lojtari i tretë më i ri që ka luajtur me këtë skuadër në Bundesligë, Dajaku do të ketë rastin të dëshmohet sërish, shkruan sot Koha Ditore.

Kësaj here, kur Stuttgarti e pret Herthan e Berlinit në fundjavë, ai do të jetë titullar, ka shkruar të mërkurën sajti zyrtar i ekipit gjerman.

Të dielën e shkuar ai debutoi në Bundesligë kur në minutën e 75-të u inkuadrua në përballjen kundër Borussia Moenchengladbachut, të cilën e humbi ekipi i tij me shifrat 3:1.

Për atë çerek loje sa ishte në fushë, Dajaku ka bindur trajnerin Weinzierl se mund ta zëvendësojë sulmuesin grek Anastasios Donis për ndeshjen kundër Herthas. Donis u lëndua ndaj Gladbachut dhe u zëvendësua pikërisht nga Dajaku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme