Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se ka manipulime mjaft të mëdha brenda partiake nga ana e komisionerëve.
“Votat numërohet aty për aty, dmth, në secilin vendvotim numërohet ajo kuti me vota dhe ato rezultate janë ato që rrjedhin nga numërimi në vendvotim. Pastaj kur këto kuti shkojnë në QNR aty bëhet auditimi i tyre dhe secila kuti hapet dhe vlerësohet se a përputhen rezultatet, nënshkrimet me numrin e fletëvotimeve, janë procedura dhe nëse një votë nuk përputhet ajo kuti konsiderohet si kuti që është e kontaminuar dhe duhet të shkojë në rinumërim”, ka thënë Daka në emisionin Desku në KTV. “Kjo është ajo që e zgjat pastaj procesin dhe duhet të bëhet rinumërimi, sepse votat numërohen atë natë. Pra, rezultatet dalin live”.
Daka ka thënë se në Kosovë nuk mund të bëhen votime elektronike sepse ligji e përcakton që duhet të jetë fletëvotim dhe duhet të mbushet e numërohet manualisht.
“Kur kemi zgjedhje lokale zgjatja e procedurave është edhe më e madhe sepse gjithmonë kemi mospërputhje të rezultateve tek kandidatët. Fatkeqësisht ajo vjedhja brenda llojit, brenda partisë është e shpërfaqur sidomos vitet e fundit dhe ne vazhdimisht kemi ankesa të pafundme nga kandidatët të cilët bëjnë kërkesën në PZAP, ajo na detyron t’i rinumërojmë edhe pse në zgjedhjet e fundit i kemi parë se pavarësisht rinumërimeve pak ka pas dallime në rezultate. Edhe pse ka pas disa deputetë fillimisht kanë qenë deputetë pastaj kanë dalë që nuk janë deputetë pas rinumërimeve. Këto janë si pasojë e ndërhyrjes në proces nga ana e komisionerëve”, ka thënë Daka. “Komisionerët e partive të cilët sa i përket votës së partisë janë fanatikë, mirëpo kur vjen të vota e kandidatit aty pastaj bëjnë allishverishet e veta. Dhe të gjithë pajtohen fatkeqësisht”.
Ajo thotë se pajtohet me konstatimin se shumë më shumë ka manipulime brenda partiake,se sa ndaj partive të tjera.
“Në vitin 2010 kur ka pasur manipulime të llojllojshme. Por, më pas kemi pasur ndryshimin ku ka pasur manipulime brenda për brenda partive. Pra, brenda kandidatëve të një partie e jo në mes të partive”, ka thënë ajo.