Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se vëmendje të veçantë në fazën e numërimit marrin edhe votat me kusht.
Ajo ka theksuar se mund të ketë raste ku votat me kusht mund të jenë të dyfishta, por të gjitha ato vota identifikohen në fund.
“Listat skanohen dhe vërtetohen. Vota me kusht anulohet në rast se del që dikush ka votuar dy herë, dhe rasti shkon në prokurori. Kemi pasur një supermen që ka votuar dhjetë herë”, ka thënë Daka, në “Zona B”.
Më tej ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u punuar pa ndalur, madje e ka bërë krahasimin me punën më minierë.
“Do të mundohemi me të gjithë forcat që t’i kryejmë procedurat. Sot isha përsëri në QNR dhe shoh se atje punohet pa ndërprerë, si në minierë”, ka thënë ajo.
“Kam bindjen që do të kemi shumë më pas kuti për rinumërim. Askush nuk është më i lumtur se ne kur i heqim qafe rezultatet”, ka thënë ajo.
Daka ka thënë se janë duke punuar më intensivisht se kurrë në numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve.
“Punëtorët janë duke punuar me tre turne – pra 24 orë, që të bie presioni i të gjithëve që ta kemi rezultatin e saktë”, ka thënë Daka.
“Të gjithë ata që plasojnë rezultate po krijojnë stres te kandidatët edhe të subjektet”, ka thënë Daka për rezultatet që po publikohen nëpër rrjetet sociale.
“Kemi shumë pak kuti për t’i rinumëruar, por më së largu dy javë do t’i kemi rezultatet”, ka thënë Daka.
“Lus të gjithë që presin sepse ajo që del nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është e vërtetë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se rezultate tjera vetëm po krijojnë keqkuptim ndërmjet kandidatëve, bëjnë presion dhe ky presion po bartet edhe tek ta.