Daka: Reforma zgjedhore e domosdoshme, problemet po na përsëriten

Prishtinë | 03 Jan 2021 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një intervistë për Ekonomia Online sistemi zgjedhor në vend ka nevojë për reformë.

Sipas saj duhet të qartësohen shumë çështje në mesin e tyre edhe votat jashtë Kosovës.

Edhe çështje teknike duhet që të evitohen tha ajo, në mënyrë që mos të përsëriten problemet e njëjta ditën e zgjedhjeve.

“Po tashmë është evidente se duhet të kemi një reformë zgjedhore. Ka shumë çështje të cilat duhet të ndryshohen, ka çështje të cilat duhet të qartësohen e në mesin e tyre ka qenë edhe vota jashtë Kosovës, vota nga diaspora, mënyra se si ata votojnë”.

“Afatet kohore të gjitha këto pra përveç shumë çështjeve tjera teknike të cilat duhet të rregullohen me ligjin mbi zgjedhjet, pastaj  zgjedhja e krye shefit e cila tashmë na është bërë një barrë për shkak që disa herë kemi probleme lidhur me këto përzgjedhje, çështjet teknike të cilat kanë direkt implikim në ditën e zgjedhjeve”.

Tutje, Daka tha se përkundër sfidave që janë përballur këtë vit si pasojë e pandemisë, kanë arritur që të përfundojnë me sukses një proces zgjedhor, atë në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.

“Po ka qenë një vit i vështirë, jo vetëm për KQZ-në, por për te gjithë ne si qytetarë edhe si bartës të institucioneve”.

“Megjithatë ne e kemi përfunduar një proces zgjedhor me sukses, jam e kënaqur që përkundër faktit se jemi në kohë pandemie, kemi arritur që të realizojmë zgjedhje të mira, të cilat janë pranuar nga të gjithë”.

Më tej, Daka njoftoi se KQZ-së i është zvogëluar buxheti për vitin 2021.

“Po në fakt neve na është zvogëluar buxheti, sikur të gjitha institucioneve, dhe meqenëse, në vitin e ardhshëm i kemi vit zgjedhor, pra i kemi zgjedhjet e rregullta lokale, do të shohim se sa do të ketë ndikim. Ende nuk mundemi me dhanë një konstatim”, u shpreh ajo.

Të ngjashme