Daka thotë se votat e diasporës duhet të numërohen, pas vendimit të Supremes

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 11:57 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka thënë se aktvendimi i Gjykatës Supreme për votat e diasporës duhet të zbatohet, raporton Ekonomia Online.

“E kemi aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe jemi të obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votave nga jashtë vendit”.

“Mendoj se nuk kemi nevojë ta komentojmë se e kemi aktgjykimin dhe na pëlqeu apo jo e kemi obligim ta zbatojmë siç është”, ka thënë Daka.

Ilir Gashi anëtar i PDK-së në KQZ  ka kërkuar sqarim se çfarë do të ndodh me 1700 votat që kanë ardhur me 17 tetor.

“Dua të sigurohem se në bazë të ankesave vendimi nuk ka të bëjë me 1700 votat që kanë ardhur me 17 tetor”.

“Realisht po bëhet precedent për këtë çështje se me këtë vendim po ndryshohet edhe ligji për zgjedhje. Dilemë kam se çka do të bëhet me 1700 me votat që kanë ardhur me 17 tetor”, ka thënë ai.

Ndërkaq anëtari i LDK-së, Sami Hamiti vendimin e Supremes e ka quajtur precedent të keq, raporton EO.

Gjykata Supreme ka miratuar si të bazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me të cilin ndalohej numërimi i 4 639 zarfe me vota të ardhura nga jashtë Kosovës.

PZAP-ja kishte vendosur që këto vota të mos lejoheshin për numërim për shkak se kishin arritur me vonesë në Kosovë.

Temë tjetër ishte edhe ndarja e fondeve për partitë politike.

Daka kërkoi sqarim se cilat subjekte kanë drejtë me fituar këtë fond.

Ndërkaq Yll Buleqkaj tha se të gjithat ato parti që e kanë kaluar pragun mund të fitojnë fonde.

Rrustemi kërkoi të ndryshoj ky ligj duke thënë se mjetet është dashur të alokohen në fillim të këtij muaji.

“Në muajin tetor është dashtë të alokohen mjetet te partitë politike, por formalisht duhet të merret një vendim sepse nuk duhet që ta lejojmë të vendos sekretariati për ketë çështje”, ka thënë Rrustemi.

Sami Hamiti ka pyetur kryetaren e KQZ-së se kur do të përfundojë ardhja e votave nga jashtë.

Ndërkaq Daka u përgjigj me ironi “Po kur t’i certifikojmë rezultatet”.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/461135237858998

Të ngjashme