Instituti i Shëndetit Publik ka testuar për Covid-19 edhe 26 pjesëtarë tjerë të personelit mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Testet e të gjithë të testuarve, siç konfirmoi për KOHËN, zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, kanë dalur negative.
“Edhe 26 të testuarit e fundit nga personeli i Spitalit kanë dalur negativë”, tha Sahiti. Këta 26 të testuar i përkasin personelit të anestezionit, repartit Neurologjik, Interno, Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.
Para dy ditëve janë testuar në Covid-19 edhe 22 pjesëtarë tjerë të personelit mjekësor të Repartit të Gjinekologjisë dhe të Neonatoligjisë dhe të gjitha testimet kanë dalur negative.
Arsye e këtij testimi masiv në këtë spital, i ndërmarrë këtë javë, ka qenë diagnostifikimi pozitiv në koronavirus i një mjekeje në repartin e Neonatologjisë, por edhe i dy pacientëve që janë trajtuar në këtë spital të cilët pastaj janë diagnostifikuar me Covid-19.
Mjekja e Neonatologjisë kishte trajtuar një foshnje të porsalindur, nëna e së cilës pasi ishte liruar nga spitali, ishte konfirmuar me koronavirus.
Por, siç kanë pohuar drejtuesit e këtij spitali, mjekja është infektuar diku tjetër, e jo nga foshnja, që ka dalur negative në testin për COVID-19.
Kjo paciente që ka lindur e që kishte dalur pozitive në COVID-19, ka qenë njëra prej pacienteve të gjinekologut nga Gjakova, i cili ditë më parë është diagnostifikuar me virusin korona.
Ndërsa në repartin e Neurologjisë, fundjavën që shkoi është trajtuar një i moshuar nga komuna e Istogut me gjakderdhje në tru dhe pasi është trajtuar dhe stabilizuar, në gjendje pa vetëdije ishte transportuar në Klinikën e Neurologjisë në Prishtinë.
Asnjëri prej personelit mjekësor në të dy repartet nuk kanë qenë në izolim, ngase, siç ka pohuar drejtori i spitalit, Skënder Dreshaj, që të dy pacientët janë trajtuar në bazë të protokollit.
“Personeli ka qenë me masat mbrojtëse, rrobat mbrojtëse dhe me maska”, ka thënë drejtori i Spitalit.
Zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, tregoi se që nga fillimi i pandemisë e deri sot janë testuar gjithsej 61 pjesëtarë të personelit të spitalit.
“Të gjitha rezultatet kanë dalur negative dhe kjo është inkurajuese për punën e personelit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Ky është lajm i mirë për personelin tonë, por dhe për pacientët që mund të ndihen të sigurt gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë”, ka thënë Sahiti.