Ministria e Financave dhe Transfereve sot ka njoftuar se thesari ka bërë procedimin e pagave për përfituesit e pagave nga buxheti i Kosovës, derisa zjarrfikësit do të kompensohen edhe për obligimet e mbetura për 2019, për orët jashtë orarit, punën gjatë festave dhe ndërrimeve të natës.
Pagesa ishte paraparë të realizohet në pagën e prillit, por kjo është bërë me urgjencë këtë muaj.
Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës falënderon Ministrinë e Financave për ekzekutimin e pagesave dhe obligimet që kishin ndaj kësaj kategorie të punësuarve nga viti i kaluar, në kohën kur vendi po përballet me situatën me coronavirus.
“Shpresojmë se institucionet shtetërore do të angazhohen që zjarrfikësve t’u krijohen kushte për punë dhe të jenë sa me të përgatitur që misioni i tyre i shenjtë për shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale të kryhet çdo herë me sukses”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës.