Në ditën e pestë të pushtimit rus të Ukrainës, delegacionet e dy vendeve kanë nisur bisedimet në Bjellorusi, që synojnë t’i japin fund luftës. Zyra e presidentit ukrainas tha se dëshiron armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse.
Ndërkaq, Moska, sipas negociatorit rus, Vladimir Medinsky, dëshiron të arrijë një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve.
Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, mirëpriti delegacionet nga Ukraina dhe Rusia dhe u bëri thirrje për siguri.
“Të dashur miq, presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka, ashtu siç është rënë dakord me presidentin Zelensky dhe Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurt. Kjo është detyra jon e shenjtë”, tha ai, raporton CNN, transmeton Reporteri.net.
Ai ka thënë tutje se “presidenti Lukashenko shpreson sinqerisht se gjatë bisedimeve të sotme, do të jetë e mufndut që të gjindet zgjidhje për të gjitha çështjet e krizës së krijuar”.
Përpara fillimit të takimit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje trupave pushtuese ruse që t’i dorëzojnë armët.
Vendndodhja e saktë e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë është mbajtur sekret për çështje sigurie.
Bisedimet po zhvillohen në Bjellorusi, por i vetmi vend që është njoftuar është se ato janë në brigjet e lumit Pripyat në rajonin Gomel të Bjellorusisë.