Tri infermieret e dyshuara për dhunën ndaj të moshuarës kanë dalë para gjykatës. Në një video shihen tri të dyshuarat duke u futur në sallën e gjykatës.
Të mërkurën, Kosova u trondit nga pamjet e dhunës fizike që po i bënte një infermiere një gruaje të moshuar në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.
Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, e dyshuara e cila shihet duke ushtruar dhunë, përgjegjësja dhe një infermiere tjetër.
Dy të tjerat dyshohen për veprat “Dhënia e ndihmës” në kryerjen e dhunës si dhe “Fotografim apo inçizim i paautorizuar”.
Nga ana tjetër, Oda e Infermierëve të Kosovës ka vendosur që t’ua tërheqë licencën infermiereve që ishin të përfshira në rastin e rrahjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.
Ky vendim vjen pas një takimi urgjent që Oda e Infermierëve të Kosovës mbajti me prokurorinë dhe Këshillin Etik.