Dalja nga shtëpia e deri të momenti i vrasjes – Në Gjykatë publikohen video – incizimet e Naim Murselit

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e radhës së shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore janë paraqitur prova të reja materiale, përfshirë video-incizime nga kamera të ndryshme sigurie, të cilat sipas Prokurorisë dokumentojnë lëvizjet e të akuzuarve në ditën kritike të ngjarjes, raporton Ekonomia Online.

Gjatë seancës, Prokuroria ka prezantuar kronologjinë e plotë të lëvizjeve, nga dalja e Naim Murselit nga shtëpia, takimet me të akuzuarin Granit Plava, deri te momentet para dhe pas vrasjes së Liridona Ademajt, duke përfshirë edhe audio-incizime ku dëgjohen krisma arme dhe britma fëmijësh.

Duke filluar me paraqitjen e materialeve video, prokurorja Perlinçeviq sqaroi se Prokuroria po vazhdon me momentet kyçe të përshkruara në aktakuzë, duke prezantuar daljen e Naim Murselit nga shtëpia dhe hyrjen e tij në veturë në ditën kritike. Ajo theksoi se pamjet tregojnë qartë kohën kur Murseli e ka lëshuar shtëpinë dhe ka nisur lëvizjen me automjetin e tij.

“Versionin e shkurtër të ngjarjes që janë të përshkruara në aktakuzë. Prandaj sot po vazhdojmë me momente kyçe nga video incizimet. Folderi i shtëpisë së Naim Murselit, ky është momenti kur Murseli del nga shtëpia dhe hyp në veturën e tij. Në video incizim po e shihni Naimi Murseli hyn në veturën e vet, është koha kur ditën kritike Naim Murseli ka lëshuar shtëpinë”, tha ajo.

Duke vazhduar me prezantimin e pamjeve, Perlinçeviq shtoi

“Te pompa Kastrati, po e shohim se si vjen i akuzuari Granit Plava me veturën e llojit Seat ndërsa pas tij vjen edhe vetura Range Rover të cilën veturë e vozit Naim Murseli”, tha ajo.

Prokurorja vazhdoi me shpjegimin e pamjeve nga shtëpia e Liridona Ademajt, duke theksuar momentin e mbërritjes së saj së bashku me fëmijët, si dhe lëvizjet e mëvonshme të veturave nga pompa drejt fshatrave përreth. Ajo sqaroi se pamjet tregojnë takimin mes të akuzuarve dhe veprimet e tyre të dyshuara si koordinuese.

“Pompa gjendet në fshatin Cërnjan. Tash e shohim videon kur Liridona vjen në shtëpi. Në ora 15:45 veç se po e shihni se ka arritur vetura e Liridonës, shihet vetura dhe e ndjera Liridona, e merr njërin fëmijë në krahë dhe shihet edhe fëmija i dytë. Ka arritur në shtëpinë e saj në Bërnicë”, tha ajo.

Prokurorja tha se në pamjet e mëvonshme shihet koordinimi mes të akuzuarve.

“Në një moment shihet se si i akuzuari Naim Murseli i afrohet të akuzuarit Granit Plava dhe diçka i flet dhe shkon në market te pompa e derivateve. Naim Murseli del dhe i afrohet Granit Plavës të cilit i jep një pije energjike. Bisedojnë, ma merr mendja po merren vesh se si ta përfundojnë punën”, tha ajo.

Në vazhdim, Prokuroria prezantoi pamjet nga restoranti “Ethno House”, ku sipas saj, shihen lëvizjet e Naim Murselit dhe Granit Plavës brenda lokalit, duke përfshirë momentin kur Murseli ngritet nga  tavolina dhe përmes duarve komunikon me  Plavën.

“Në ora 18:35 minuta e shtatë sekonda, hyrja e Granit Plavës në restorantin Ethno House ku ulen në anën e kundërt të familjes Murseli. Në ora 18:50 do ta përcjellim se kur Naim Murseli është ngritur nga tavolina me telefon në dorë, ka kaluar përskaj tavolinës së Granit Plavës dhe është kthyer pas 2 minutave”,

Ajo theksoi se pamjet tregojnë edhe largimin nga restoranti dhe lëvizjet pasuese.

“Dalim te momenti kur vetura BMË del nga parkingu, pas saj është vetura e llojit Seat. Ora 21:16, përsëri këtu ka dallim në orën e kamerave, kur kamerat e kompanisë Titanium e kanë xhiruar veturën BMË ndërsa pas 24 sekondash edhe veturën Seat”, tha ajo.

Një pjesë e rëndësishme e provave, sipas Prokurorisë, lidhet me audio-incizimet nga kamerat e një autoservisi, ku dëgjohen krisma arme dhe britmat e fëmijëve, duke u përcaktuar edhe koha reale e vrasjes.

“Më 30.11.2023, kamerat janë 7 orë para, ndërsa orët në kamera janë 03:12:05. Nga kamera e autoservisit Mercedes-Benz shihet ardhja e veturës Seat, e cila vazhdon në drejtim të Bërnicës. Pas disa sekondave shihet se si vetura kthehet. Ne nuk e shohim pas kompanisë Mercedes-Benz, sepse është parkuar aty ku është shigjeta, ku edhe ka qenë vendi i vrasjes. Pas kësaj ndërtesë ka qenë edhe vendi i vrasjes dhe aty është parkuar në natën kritike vetura e llojit Seat. Kur e kemi dëgjuar këtë incizim dhe kur e kemi shikuar audio-incizimin e kompanisë Mercedes-Benz, kemi parë që në prapavijë dëgjohen disa incizime, prandaj prokurori i ka dhënë urdhëresë forenzikës që t’i ndajë audio-incizimet nga incizimi i cekur.”

“Dëgjohet krisma dhe britmat e fëmijëve. Duke pasur parasysh që koha në auto servis është 7 orë para, koha reale e vrasjes sipas incizimeve kur dëgjohet krisma është ora 20:17:22 sekonda”, tha ajo.

Sipas saj, pamjet tregojnë edhe mënyrën e largimit nga vendi i ngjarjes.

“Vetura Seat me shpejtësi të madhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Prishtinës… Vetura është parkuar në mes, as në anë të majtë as në të djathtë që të mos i lejohet asnjë veture kalimi i kësaj rruge, që Naim Murseli ta sigurojë kohë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, tha ajo.

Në fund, Prokuroria paraqiti edhe lëvizjet e Kushtrim Kokallës pas ngjarjes.

“Në ora 09:10:04 kur i akuzuari Kushtrim Kokalla vjen në shtëpinë e Naimit dhe në një moment e merr veturën e llojit Range Rover dhe largohet nga aty”, tha ajo.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leotrim Syla, tha se nuk kanë vërejtje në elaborimin e video-incizimeve, por që si palë e dëmtuar kanë edhe disa momente tjera që do t’i elaboronin në këtë shqyrtim gjyqësor, pasi konsiderojnë se janë me rëndësi vendimtare për çështjen.

Sipas Sylës, një prej tyre është video-incizimi i hotelit ku shihet Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla. Por, tha se atë pjesë të pamjeve nuk e kanë sot në CD.

Ai kërkoi që pala e dëmtuar të lejohet të bëjë elaborimin e provave në seancën e radhës.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues Fatim Dermaku mori vendim që të shikohen fotografitë 50, 51 dhe 52, të cilat kanë të bëjnë me pamjet e hotelit sikurse kërkoi pala e dëmtuar.

Në ato foto, shihet Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla në recepsionin e hotelit.

Avokati Syla tha se këto pamje nuk dëshmojnë që dy të lartpërmendurit kanë qëndruar në një dhomë brenda hotelit, por që në hardisk u janë dorëzuar edhe pamjet nga kati i 3-të, ku shihen duke hyrë në dhomë: Valon Lluka, Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla. Tha se mbesin pranë kërkesës që të elaborohen pamjet brenda hotelit.

Mbrojtja ia la në diskrecion Gjykatës të vendos lidhur me propozimin e avokatit Syla.

Ndërkaq, prokurorja Pelinçeviq tha se të Lluka, Ademaj e Kokalla e kanë pranuar se atë natë kanë qëndruar në hotel, e që ky është fakt i pakontestueshëm.

Më pas, trupi gjykues mori vendim me të cilin refuzoi propozimin e palës së dëmtuar që të shikohen pamjet brenda hotelit, duke thënë se është sqaruar mjaftueshëm nga fotografitë e administruara. Tha se kjo vërtetohet edhe nga dëshmitarët Valon Lluka dhe Leonard Ademaj, dhe se nuk kontestohet as nga vetë Kokalla.

Të ngjashme