Në një sërë veprash, sikur se “Historia e Filozofisë, apo edhe “Estetika” si dhe vepra tjera, Hegeli vazhdimisht e ka shtjelluar konceptin e tij, mbi dallimin ndërmjet filozofisë dhe religjionit, si shprehje e frymës absolute. Dhe trajtimi i këtij diferencimi kërkon një hapësirë tjetër.
Mirëpo, mënyra se si do të dukej konkretisht si njëra ashtu edhe tjetra, çfarë rrjedhe jetësore mund të ndjekin pasuesit, bie fjala, të një filozofi, apo çfarë ndjekësit e një profeti, mbase askund nuk është paraqitur më mirë, se sa në shkrimet e tij të hershme teologjike “On Christianty- Early Theological Writigns”. Dhe këtë pikturim e pasqyron nëpërmjet fatit jetësor të Sokrat-it dhe Jezusit.
Për filozofin madh gjerman, dishepujt e Jezus-it, i sakrifikuan të gjitha interesat tjera si dhe e braktisën çdo gjë tjetër, vetëm që të bëhen ndjekës të profetit. Ata nuk manifestuan interesa tjera politike, sikur se bie fjala, se si një qytetar mund t’i kultivoj ato në një republikë të lirë, në shtetin e tij.
Interesi total i tyre ishte reduktuar te një person, ai i Jezusit.
Kurse në anën tjetër që nga rinia e tyre, dhe gjatë gjithë rrjedhës së tyre jetësore, shokët e Sokratit, (friends of Socrates), i zhvilluan kapacitetet dhe pushtetin e tyre në shumë drejtime. Ata e përvetësuan shpirtin e lirë demokratik, frymë kjo e cila e pajis njeriun me një masë më të madhe të pavarësisë individuale dhe e pengon atë ta varet plotësisht dhe në mënyrë absolute nga një person i vetëm, pavarësisht se kush mund të jetë ai.
Në shtetin e tyre ishte më së e natyrshme të kesh interesa politike dhe interesa të këtij lloj kurrë nuk mund të sakrifikohen. Shumica prej tyre kishin qenë nxënës edhe të filozofëve dhe mësueseve tjerë.
Ata, vazhdon Hegeli, e adhuruan Sokratin, për shkak të virtyteve dhe filozofisë së tij, dhe jo virtytet dhe filozofinë e tij për shkak të personit. Po ashtu, sikur se Sokrati që kishte luftuar për vendlindjen e tij, i kishte plotësuar të gjitha detyrat si një qytetar i lirë dhe si një ushtar guximtar (sepse Sokrati kishte marrë pjesë edhe në luftë), dhe një “gjykatës” mendor në paqe, po ashtu edhe ndjekësit e tij ishim më shumë se sa filozofë joaktiv, më shumë se sa thjesht nxënës të tij.
Sepse, për më tepër ata kishin kapacitetin të gjykonin dhe mendonin me kokën e tyre, nga ajo që kishin mësuar dhe duke i lënë kështu gjurmët e tyre origjinale dhe të pavdekshme. Dhe shumica prej tyre u dëshmuan mendimtarë po aq të mëdhenj sa Sokrati në historinë e filozofisë perëndimore.