Daniel Craig konfirmon largimin nga roli i Bondit

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Daniel Craig planifikon të largohet plotësisht nga franshiza e James Bondit pas rolit të tij të pestë dhe të fundit si agjenti 007.

Aktori britanik i ka konfirmuar raportet që sugjerojnë që filmi i vitit të ardhshëm “No Time To Die” do të jetë edhe i fundit si superspiuni elegant, duke e pranuar se është i gatshëm ta lërë pas rolin të cilin e ka luajtur që nga Casino Royale i vitit 2006.

Në një intervistë me sajtin gjerman “Express”, ai shpjegoi, “Në të ardhmen, dikush tjetër duhet ta bëjë atë”.

Ai gjithashtu u pyet për mundësinë e kthimit në Bond për të punuar prapa kamerës, por Craig – i cili ende nuk e ka bërë regjinë e ndonjë projekti të tij – e bëri të qartë se nuk do ta bëjë atë, sepse kërkon shumë kohë, shkruan KOHA Ditore.

“Për hir të Zotit, jo”, u përgjigj ai. “Dua të kthehem në shtëpi, të ha diçka dhe pastaj të shkoj në shtrat.

“Nëse jeni regjisor, atëherë natën jeni akoma me producentët, skenaristët dhe të tjerët në telefon. Dhe pastaj pas dy orësh gjumë, duhet të ktheheni përsëri në set. Jo faleminderit”.

Craig i përfundoi xhirimet në filmin e tij të fundit për Bondin muajin e kaluar.

Në “No Time To Die”, me regji të Cary Fukunaga, gjithashtu kthehen Lea Seydoux, Jeffrey Wright, Rory Kinnear, Naomie Harris, Ben Whishaw dhe Ralph Fiennes, ndërsa fituesi i Oscarit Rami Malek e luan keqbërësin e filmit të ri. Filmi do të shfaqet nëpër kinema në prill.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme