Danielsson: Fondet e IPA-s ndihmojnë në zhvillim, Kosova të jetë bashkëpunuese

Prishtinë | 04 Tet 2017 | 09:39 | Nga Kaltrina Zymberi

Drejtori Gjeneral për Fqinjësi dhe Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson është takuar me kreun e Kuvendit, Kadri Veselin.

Pas takimit Danielsson tha se Kosova ka bërë përparim në shumë fusha, por ka edhe shumë punë për tu bërë.

Ai ka folur edhe për fondet IPA-së të cilat i sjell BE në Kosovë e të cilat sipas tij, janë të përqëndruar në sistemin e arsimit, raporton EO.

Danielsson ka thënë se këto fonde janë të rëndësishme pasi do të ndihmojnë në zhvillim të Kosovës. Ai ka kërkuar që Kosova të jetë bashkëpunuese me BE-në.

Ai siguroi se mbështetja e BE-së për Kosovën do të jetë konkrete, nëpërmjet fondeve, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e saj.​

Ndërsa kryekuvendari Veseli ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, duke i siguruar se Kosova do të vazhdoj të punojë në rrugë drejtë anëtarësimit në BE.

Kryeparlamentari Veseli tha se Bashkimi Evropian mbetet prioritet strategjik i Republikës së Kosovës. Ai tha se qytetarët e Kosovës janë evropianë dhe përpjekjet integruese të institucioneve të vendit do të vazhdojnë pareshtur.

“Kemi shumë sfida, por si institucione të Republikës së Kosovës jemi të vendosur të ecim përpara në procesin e reformave”, theksoi Veseli. Ai shtoi se fondet e IPA-s, në vlerë mbi 70 milionë euro, do jenë të fokusuara në inovacion, sistem të drejtësisë, arsim e në fusha të tjera dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për Kosovën në proceset e saj zhvillimore dhe euro-integruese.

Veseli u shpreh i bindur se Kuvendi do të miratojë projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshejeje, duke i hapur rrugë funksionalizimin të kësaj mbështetjeje.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova është krenare që e ka BE-në në krah dhe bashkë me të do të ecë drejt rrugës së integrimit.

Danielsson gjatë ditës së do të takojë edhe kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Bashkë me kryeministrin Haradinaj do të lansojnë programin për reforma ekonomike.

Danielsson do të zhvillojë një takim edhe me ministren e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, atë të Ministrisë së Financave Bedri Hamza, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

 

Të ngjashme