Danimarka do t’i asgjësojë rreth 9.000 shpezë për shkak të përhapjes së gripit H5N8 në një fermë në Gadishullin Jutland.
Ky lloj i gripit në fermë u zbulua gjatë kontrollit të organeve shtetërore në ditën e parë të vitit, sipas deklaratës së Administratës së Ushqimit dhe Kontrollit.
Autoritetet thanë se rreth 9.000 shpezë në këtë fermë do të asgjësohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit H5N8. U kërkua edhe marrja e masave në fermat tjera, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Për shkak të gripit të shpezëe në Danimarkë në muajt e fundit, disa shtete, përfshirë Japoninë, Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singaporin, e kanë pezulluar përkohësisht importimin e vezëve dhe shpezëve nga ky shtet.
Gripi i shpezëve raportohet se javëve të fundit është përhapur në disa pjesë të Evropës dhe besohet se kjo ka ndodhur nga shpezët e egra.
Përhapje të ngjashme të gripit në të kaluarën kishin bërë që të asgjësohen miliona shpezë, duke i shkaktuar dëm të madh industrisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziku që gripi H5N8 të kalojë nga shpezët te njerëzit nuk mund të përjashtohet, ndonëse gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla.