Një pirat i dyshuar është rrugës për t’u ndjekur penalisht në Danimarkë dhe nëse i takon Ministrit të Drejtësisë Nick Haekkerup, ai së shpejti mund të zhvendoset në Kosovë për t’u burgosur.
Hækkerup e thotë këtë pasi Ministria e Drejtësisë njoftoi të enjten se tre nga katër piratët e dyshuar nga fregata “Esben Snare” në Gjirin e Guinesë po lirohen, ndërsa i katërti, i cili është plagosur, po ndiqet penalisht në Danimarkë, raporton mediumi danez Ritzau, përcjell lajmi.net.
“Tani jemi duke punuar që ai ta vuajë dënimin me burg në Kosovë. Dhe ai do të jetë një nga ata që do të jetë kandidat për të vuajtur dënimin në atë burg. Sepse ai nuk ka të bëjë fare me Danimarkën”, deklaroi ai.
Kosova i ka dhënë 300 qeli burgu me qira Danimarkës, e cila do të mbajnë 300 të dënuar nga Danimarka, që nuk janë të rrezikshmërisë të lartë.
Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.