Transferimi i ri i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, ka thënë se është jashtëzakonisht i motivuar që bashkë me klubin të fitojnë çdo trofe të mundshëm.
Këto komente ai i bëri në konferencën e mbajtur për media bashkë me kryetarin e klubit, Burim Maraj, presidentin e Sigal Uniqa Group, Avni Ponari dhe kryetrajnerin Ekrem Memnun, raporton Ekonomia Online.
“Kam ardhur për të fituar gjithçka që është e mundur, jam shumë i motivuar, e di se çka kërkon Prishtina dhe besoj se me trajnerin dhe gjithë stafin do ia arrijmë qëllimit”.
Kryetari Maraj tha se synim si klub e kanë shpalljen kampionë në Superligë.
“Besoj se do të jetë një stinor shumë konkurrues dhe interesant. Synojmë të shpallemi kampion për herë të 14-të. Të gjitha përgatitjet dhe investimet janë bërë që klubi të ketë një sezon triumfues. Sigal Prishtina është e gatshme të luftojë këtë sezon me të gjitha forcat, që klubit t’i shtohen trofe të reja në muzeun tonë të kupave”, u shpreh Maraj.
Pronari i Sigalit, Avni Ponari, ka zbuluar se Berisha, kishte refuzuar të luante kundër Shqipërisë, në kohën kur veshte fanellën e përfaqësueses së Polonisë.
Një gjë të tillë, Ponari e ka thënë konferencën për media të mbajtur të enjten në zyrat e klubit të basketbollit, Prishtina.
Pastaj, Dardan Berisha ka treguar se vendimi për të mos luajtur ndaj Shqipërisë nuk u ka pëlqyer polakëve.
“Kanë qenë kualifikime për Kampionatin Evropian dhe në atë kohë unë kam luajtur për përfaqësuesen e Polonisë. E kemi pasur në grup Shqipërinë dhe unë kam refuzuar të luajë, edhe në Shqipëri edhe në Poloni. Normal, ka qenë presion në Poloni se pse nuk po luajë, por në fund trajneri dhe Federata e Polonisë e kanë kuptuar, ndoshta tifozët jo aq shumë, por unë ashtu jam ndje dhe e kam vendosur ashtu. Nuk kam luajtur kundër Shqipërisë sepse jam shqiptarë”, ka thënë Berisha.
Ai e filloi karrierën në Kosovë në vitin 2001 me ekipin e KB Peja. Ai luajti jashtë vendit në Spanjë, Poloni dhe Kroaci.
Ndërsa, në vitin 2012 u kthye në Kosovë, nënshkroi kontratë me KB Peja. Në këtë vit Berisha fitoi Superligën e Basketbollit të Kosovës dhe u zgjodh MVP i ligës.
Kurse, nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka luajtur në Kosovë me Sigal Prishtinën. Në vitin 2015 Berisha fitoi Superligën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike.
Në qershor 2015, ai u largua përsëri nga Kosova duke u transferuar në Kroaci në KK Cibona.
Por, Dardan Berisha u largua nga Cibona e Zagrebit për t’u rikthyer te Sigal Prishtina.
Më 18 shkurt 2017, Berisha nënshkroi me skuadrën italiane Juvecaserta Basket.
Ai kthehet përsëri te KB Prishtina në 2018 dhe qëndron deri në vitin 2019, dhe pastaj nga 2019 ishte në KB Peja.