Grupi zyrtar i tifozëve të ekipit kombëtar të Kosovës, “Dardanët” do të shpërndajnë falas duksa dhe bileta për tifozet, për ndeshjen e fundit dhe më të rëndësishëm të Kosovës në Ligën e Kombeve, të martën kundër Azerbajxhanit, në kryeqytet.
Kosova do të jetë nikoqire e Azerbajxhanit në “Fadil Vokrri” nesër në orën 20:45, në ballafaqimin vendimtar në përcaktimin e fituesit të Grupit 3 të Ligës D, raporton Gazeta Express.
Një fitore, apo së paku një barazim, i siguron Kosovës promovimin në Ligën C, si dhe gjysmëfinalen në Ligën D në përpjekje për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, përmes një rruge më të lehtë.
Për këtë, “Dardanët” kanë një ofertë të veçantë për tifozet e ekipit kombëtar, bileta dhe duksa falas para ndeshjes së nesërme.
Vashat që duan ta kenë nderin ta veshin një duks “Dardan” dhe ta shohim ndeshjen historike të Kosovës nga tribunat e stadiumit me emrin e legjendës së futbollit shqiptar, mund ta realizojnë këtë duke i tërhequr ato pranë stadiumit të martën në orën 18:00.
“Dardanët’ dhurojnë 40 duksa dhe 40 bileta për gjininë femërore.
Të martën do të jetë festë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ pa marrë parasysh rezultatin. Le të na bashkangjiten sa më shumë tifoze ta bëjmë festën më madhështore.
Ti, bija e Kosovës, eja te stadiumi ‘Fadil Vokrri’ ne 18:00h për dhuratat nga tifo grupi ‘Dardanët’”, thuhet në njoftimin e “Dardanëve”.