“Dardanët” e shpallin Andi Zeqirin person “non grata”

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Tifozët e Kosovës “Dardanët” nuk e kanë pritur aspak mirë përfshirjen e Andi Zeqirit në listën e Kombëtares së Zvicrës për Euro 2020.

Sulmuesi kosovar i zgjodhi përfundimisht “Helvetikët” edhe pse paraprakisht ia kishte dhënë besën Federatës së Futbollit të Kosovës se do të luante për Verdhekaltrit.

Madje, ai ishte takuar edhe me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili e kishte zyrtarizuar “përforcimin Zeqiri”.

Por, pas një kohë gjërat ndryshuan, shkruan Gazeta Express.

21 vjeçari nuk u bë më i gjallë dhe Kosova nisi t’i humbiste shpresat.

Dhe tash, doli lajmi se futbollisti i Brighton & Hove Albion e zgjodhi përfundimisht Zvicrën.

Ndërkohë, tifozët “Dardanët” e kanë akuzuar futbollistin për pabesi dhe shtojnë se ai është i padëshiruar në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tifozëve kosovarë në drejtim të futbollistit Andi Zeqiri.

“Mashtrimet nuk tolerohen. Ai i Andit nuk ishte vetëm mashtrim ndaj federatës, por edhe ndaj tifozëve dhe mbarë popullit në Kosovë. Si i tillë mori përmasa edhe më të rënda. Ofendoi shumë keq të gjithë ata që u përpoqën ta afronin te Kosova. Tani, ky zotriu i veshur me sedër të huaj, atë zvicrane, le të na tregojë se çka e motivoi për ta bërë këtë tradhëti? Çfarë i bëri Kosova që t’ia linte këtë njollë të zezë? Çka i kishim borxh ne tifozët që ai të na përgjigjej me atë sjellje perverse? Nënshkruajti mbi dokument se do t’i bashkohej kombëtarës kosovare, pastaj si skuth i pabesë në pabesi shkoi te Zvicra. Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një gjë: për Dardanët je i padëshiruar – NON GRATA. Kënaqu në alpet zvicrane, por mos u mundo asnjëherë të identifikohesh me shqiptarët dhe Kosovën, sepse atë mundësi për t’u identifikuar si i tillë e hodhe në kosh të plehrave. Kurse për neve ti je vetëm një gërmallë mbeturinash. Nuk e meriton asnjë respekt! Dy vite duke sorrollitur njerëz, duke i gënjyer dhe vendosur në pozita të padobishme. Prandaj për ne Dardanët je i shpallur NON GRATA!”, kanë shkruar “Dardanët”. 

Të ngjashme