Tifozët e Kombëtares së Kosovës ‘Dardanët’ janë të indinjuar me deklaratat e komentatorit të Supersportit, Dritan Shakohoxha
Dardanët kërkojnë ndëshkimin e Shakohoxhës
Tifozët e Kombëtares së Kosovës ‘Dardanët’ janë të indinjuar me deklaratat e komentatorit të Supersportit, Dritan Shakohoxha
Ata përmes një letre drejtuar kompanisë Digitalb, kërkojnë që të merren masa disiplinorë ndaj tij, për shkak të fyerjeve dhe përqeshjes së simboleve dhe shtetit të Kosovës.
Ata po ashtu kërkojnë edhe që Shakohoxha të kërkojë fale për qëndrimin e tij prej rrugaçi dhe argumenteve prej një injoranti kundër mijëra kosovarëve.
Për më tepër ata thonë se, qëndrime me Dritan Shakohoxhën i kanë dëgjuar vetëm nga Federata e Futbollit të Serbisë dhe nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu ata thonë se, shprehja publike e qëndrimeve të tilla në kohën kur po pritet shqyrtimi i padisë së Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, në rastin më të mire është budallallëk e në më të keqin janë deklarata qëllimkëqija dhe potencialisht të rrezikshme e të dëmshme.
Më poshtë mund të lexoni të plotë letrën e tyre drejtuar Digitalbit:
Po ju drejtohemi në emër të grupit të tifozëve të kombëtares së Kosovës “Dardanët”
Kontributi i i kompanisë mediale që ju udhëhiqni në promovimin e futbollit kosovar në nivel klubesh dhe së fundmí edhe me transmetimin e ndeshjeve te kombëtares së Kosovës është i padiskutueshëm dhe përë këtë ju jëmi mirënjohës.
Duke pasur parasysh këtë, ne jemi thellësisht të indinjuar me paraqitjen publike të të punësuarit tuaj Dritan Shakohoxha.
Ai në emisionin Opinion të televizonit nacional Klan shfryu një grumbull fyerjesh, ofendimesh, insinuatash e gënjeshtrash në drejtim të grupit të tifozëve Dardanët, fytyrave më eminente të futbollit kosovarë (përfshi këtu edhe legjendën e futbollit kosovarë dhe aktualisht kryetarin e FFK-së, z. Fadil Vokrri), qytetarëve, simboleve dhe vet shtetit të Kosovës.
Paraqitja e tij destruktive, agresive dhe shumë joparimore ka lënduar ndjenjat e mijëra tifozëve dhe qytetarëve të Kosovës, shikues dhe abonues të platformës televizive që ju udhëhiqni.
Ai, pa fije skrupulli përqeshi simbolet e tifozëve dhe shtetit të Kosovës.
Për më tepër, ai me një qëndrim prej rrugaqi dhe me argumente prej injoranti vuri në pikëpytje nevojën për ekzistencën e kombëtares së Kosovës tashmë anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.
Të njëjtat qëndrime me Dritan Shakohoxhën i kemi dëgjuar vetëm nga Federata e Futbollit të Serbisë dhe nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Shprehja publike e qëndrimeve të tilla, nga një punonjës i kompanisë suaj prestigjioze dhe suportuese mediale e kombëtares së Kosovës, në kohën kur po pritet shqyrtimi i padisë së Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, në rastin më të mire është budallallëk e në më të keqin janë deklarata qëllimkëqija dhe potencialisht të rrezikshme e të dëmshme.
Dardanët kanë qenë dhe do te jenë gjithmonë përkrahës edhe të kombëtares së Shqipërisë. Prandaj besojmë se deklaratat e tilla janë përparëse dhe dashakeqe, e sidomos kur vijnë nga një komentator futbolli. Duam të përkujtojmë se janë pikërisht tifozët nga Kosova që kanë dhënë kontributin më të madh për zhvillimin e tifozerisë shqiptare dhe rrjedhimisht vet Kombëtarës së Shqipërisë në futboll.
Prandaj, ne kërkojmë nga ju që të ndërmerrni masa të caktuara disiplinore ndaj të punësuarit tuaj për fyerjen dhe lëndimin e ndjenjave të mijëra qytetarëve të Kosovës dhe njollosjen e emrit te kompanisë suaj. Po ashtu ju lusim që këto masa ti bëni publike.
Ndërkaq, po e lëmë në ndergjegjën e Dritan Shakohoxhës se a do të konsiderojë një kërkim falje publike për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë ndier të fyer nga deklaratat e tij.