Kosova e ka mbajtur stërvitjen e dytë në Durrës dhe të fundit para ndeshjes miqësore kundër Shqipërisë, që do të zhvillohet nesër në orën 16:00 në “Elbasan Arena”.
Në stërvitjen e mbajtur në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion 21 futbollistët e paraparë për ndeshjen e nesërme, e ku është përqendruar në shpjegimin e skemave të ndryshme gjatë lojës.
Gëzon fakti se të gjithë futbollistët dardanë janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për përballjen me kuqezinjtë.
Kjo miqësore do t’i shërbejë trajnerit për ta përgatitur sa më mirë ekipin për dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe kundër Moldavisë.