“Dardanët” me dy postime të veçanta, një për Kosovën e një për Shqipërinë

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të zhvillojnë sonte ndeshjet e tyre të radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Dardanët” do të luajnë në udhëtim ndaj Andorrës, kurse “Kuqezinjtë” presin Republikën Çeke. Të dy ndeshjet do të zhvillohen nga ora 20:45.

Në prag të këtyre dy ndeshjeve, tifo-grupi zyrtar i Kosovës, “Dardanët” kanë dy postime të veçanta.

“Dashuria për kombëtaren nuk zbehet asnjëherë. Ata që tradhtojnë në vështirësi, s’vlejnë as në sukses. Do të jemi sërish, edhe sonte me djemtë tanë më të mirë, pavarësisht të gjithave. Barrierat do t’i tejkalojmë bashkë. Fundja, bashkë duhet të jemi në momente të tilla. Forca Kosovë, Dardanët pas i ke!”, thuhet në postimin për ndeshjen e Kosovës.

Ndërsa, “Dardanët” për ndeshjen e Shqipërisë kanë shkruar: “Kuqezinjtë e Sylvinhos do ta kenë vëmendjen tonë me patjetër. Ne do të jemi sy e vesh kah Tirana. Lutemi për triumf e hapje të rrugës për evropianin e dytë në histori. Hajde Shqipëri!”.

Të ngjashme