Sulmuesi Atdhe Nuhiu dhe mbrojtësi i majtë, Leart Paqarada, “luftojnë” për minuta te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Kjo, megjithatë, nuk është e përbashkëta e vetme e tyre. Të dy shquhen për qëndrim të gjatë në klubet aktuale, si fare pak lojtarë të përfaqësueses së Kosovës.
Më 25 korrik të vitit 2013, shtatlarti Nuhiu kaloi nga Rapidi i Vjenës te Sheffield Wednesday në kategorinë e dytë angleze. Kishte kaluar në klubin anglez si lojtar i lirë. Fillimisht, kishte firmosur për tre vjet, por ka qëndruar shumë më gjatë.
Synim fillestar i Nuhiut ishte që përmes Sheffieldit, të depërtonte në nivel më të lartë të futbollit evropian. Kjo nuk ka ndodhur, të paktën deri më tash. Nuhiu tash 30-vjeçar, kontratën e fundit me Sheffield Wednesday e ka firmosur më 10 maj të vitit 2018. Kontrata aktuale i përfundon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa klubi e ka të drejtën e zgjedhjes nëse do ta vazhdojë kontratën me Nuhiun apo do ta lërë atë të lirë që të largohet në verë.
Këtë edicion, Nuhiu ka realizuar tre gola e ka bërë tri asistime në 24 paraqitje në Championshipin anglez (kategoria e dytë). Kryesisht po aktivizohet si zëvendësues. Ka arritur në shifrën e 228 ndeshjeve në kategorinë e dytë angleze, ndërsa gjatë tyre ka kontribuar me 37 gola e 24 asistime. Gjithsej për Sheffieldin ka luajtur 262 ndeshje, kurse ka shënuar 47 gola e ka bërë 26 asistime.
Para se të stabilizohej te Sheffieldi, Nuhiu kishte ndërruar disa skuadra. Si futbollist është formuar në Austri, te skuadra Wels. Më pas luajti për Austria Karntenin e si huazim për Riedin, po në Austri. Në vitin 2010 bëri hapin e madh duke kaluar te Rapidi i Vjenës. Prej Rapidit ishte huazuar tek Eskishehirspori në Turqi. Më pas gjeti stabilitetin në Angli.
Nuhiu ka luajtur për U-19, U-20 e U-21 të Austrisë, kurse prej vitit 2017 është pjesë e Kosovës. Ka shënuar tre gola në 14 paraqitje. Së fundi është opsioni i dytë për qendër të sulmit, pas Vedat Muriqit. Në fakt, vazhdimisht është rezervë e Muriqit dhe nuk po e fiton rastin shpesh.
Shtëpi e dytë
Nuhiu, pra, është në edicionin e shtatë te Sheffieldi. Më së shumti ndeshje kishte luajtur në edicionin 2015\16, plot 44. Më produktivi ishte në edicionin 2017\18 kur realizoi 11 gola në 28 paraqitje. Kishte edhe pesë asistime. Ajo formë ia siguroi kontratën e re që po e mban ende në klub.