Një tavolinë me ushqime të ndryshme të prodhimeve vendore, ka mbledhur pasditen e së premtes shumë prodhues, qytetarë dhe përfaqësues të komunës së Gjilanit.
“Darka e Lamës” e organizuar nga kjo komunë, ka dërguar mesazhin për të mirat e vendit, dhe falënderimet ndaj fermerëve dhe bujqve.
Në festën tradicionale të falënderimeve, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani tha se sot i falënderohen çdo fermeri, dhe çdo agro-përpunuesi gjilanas për punën që po bëjnë.
“Darka e Lamës është krye-festë pagane e motmotit që shënon mbarimin e verës, ku mblidhen të lashtat, frytet dhe bereqeti. Kjo festë nga koha e moçme ka bashkuar njerëzit nga koha dardano-ilire, ka bashkuar njerëzit me njëri-tjetrin dhe për të ardhmen e tyre. Darka e Lamës nga një fesat tradicionale e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si pjesë e trashëgimisë kulturore në vitin 2002 kur presidenti Rugova e shpalli festë shtetërore. Gjatë kësaj feste bëhen falënderime për të mirat që na i ka falë Zoti, dhe lutemi që të na dhurojë më shumë të mira në vitin tjetër”, tha Ramadani.
Këta të fundit sipas tij bartin barrën kryesore të prodhimit cilësor dhe rendimentet e arritura.
Në fjalimet falënderuese të kësaj darke nuk mbeti pa u përmendur edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, i cili njihet si krijues i kësaj darke. Të paktën kështu e ka quajtur kryetari i gjilanasve, Lutfi Haziri.
“Si themelues edhe i kësaj tradite dhe Republikës sonë, presidenti Rugova la për trashëgimi, bartjen e kësaj trashëgimie, të këtij testamenti, dhe ne në Gjilan asnjëherë nuk e kemi lënë anash, sepse është pjesë e traditës tonë. Ka qenë vit i thatë për Gjilanin, po vuajmë pasojat e thatësisë, por ka qenë vit i bereqetshëm sa i përket të mirave dhe begatisë, fal punës dhe djersës të qytetarëve dhe njerëzve që punojnë tokën, që jetojnë prej tokës. Dhe natyrisht ata janë pjesa e madhe që kanë dhënë dimensionin e zhvillimit lokal-ekonomik. Sepse bujqësia mbetet promotori më i madh i zhvillimit”, tha ai, percjell telegraf. Ai ka uruar që kjo traditë të vazhdojë edhe më tej familjet shqiptare.
I pari i Gjilanit, tha se bereqeti duhet të gëzohet dhe festohet.