Përfaqësues të sindikatave dhe ekspertë kanë kritikuar qeverinë për mungesën e dialogut dhe mosrespektimin e detyrimeve të saj ndaj partnerëve socialë gjatë mandatit aktual, raporton Ekonomia Online.
Sipas përfaqësuesve sindikalë, dialogu social është një domosdoshmëri për përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies së punëtorëve, dhe neglizhenca në këtë drejtim ka sjellë pasoja të rënda për sektorin publik dhe atë privat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk ka ndodhur me asnjë qeveri në të kaluarën që për një mandat të mos ketë takime me kryeministrin apo ministrit përkatëse, që të diskutohet për problemet me të cilat janë ballafaquar.
“Me Ministrin e Shëndetësisë dhe disa ministri të tjera kemi pasur një bashkëpunim që ia vlen për t’u përmendur. Kurse dialogu kryesor që është dashur të bëhet në veçanti me ministrin e Punës dhe Trsnafereve dhe kryeministrin, me këtë sigurisht jemi i bindur që po kalon edhe kjo periudhë katër vjeçare dhe ne nuk po takohemi. Është shumë normale që këta kanë disa sinjale që don të takohen tani në fund të mandatit, por sindikata i ka disa principe të veta që para zgjedhjeve nuk do të takohemi me askënd, as qeverinë e as me nivelet komunale. Nuk ka ndodhur në asnjë mandat, të asnjë kryeministri që kjo sindikatë të mos takohet me ministrat përkatës dhe të mos bisedoj për problemet që i kemi pasur. Nuk kam besuar që do të kalojnë katër vite dhe ne nuk do të ulemi për të biseduar për pagën minimale, për marrëveshjen kolektive, për Gjykatën e Punës dhe shumë çështje të tjera. Dashtë Zoti që kjo përvojë katër vjeçare mos të përsëritet kurrë, nuk na intereson kush do të vije në krye të qeverisë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi, theksoi se qeveria ka dështuar në ndërtimin e komunikimit të mirëfilltë me sindikatat, pavarësisht përpjekjeve për bashkëpunim të sinqertë nga ana e tyre.
“Kjo qeveri nuk ka tregu interes për sindikatat e rrjedhimisht që nuk ka dëshiruar as të komunikoj me sindikata edhe pse në vazhdimësi kemi ofruar bashkëpunim të sinqertë mbi bazën e parimeve. Siç duket ka zgjedhur rrugën e mos komunikimit dhe kjo është për të ardhur keq për arsye se vetë ligjet që ka hartuar qeveria e Kosovës e parashohin këtë komunikim pasi që na konsiderojnë si partner social që jemi e të dyja rastet këtu kemi një qëllim të përbashkët, avokimi dhe ngritja e cilësisë dhe mirëqenies sociale të zyrtareve publik në Kosovë. Fatkeqësia më e madhe është se edhe instrumentet të cilat na ka dhënë ligji mbi organizmin e Këshillit Ekonomiko Social, por edhe Ligji i Punës dhe Ligji mbi Organizmin Sindikal në një farë forme na abstrahuan nga qeveria dhe nuk janë respektuar, sepse edhe sot kur flasim ne nuk kemi Këshill Ekonomiko-Social, i cili është mekanizëm që na ofron bashkëpunim edhe bashkërendim të kërkesave dhe interesave të palëve. Për arsye se në atë Këshill përbehet nga qeveria, nga Odat Ekonomike, përqafuese të sektorit privat dhe ne si sindikata. Duhet që të marr fund kjo praktik sepse duhej të kuptoj secila qeveri, secila parti politike është e pashmangshëm komunikim me sindikata”, ka thënë ai.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka thënë se qeveria Kurti për katër vite ka cenuar organizimin sindikal, ka cenuar dialogun social, ka nënçmuar, ka përçmuar edhe denigruar krerët sindikal duke i akuzuar që kanë lidhje me qeverisjet e kaluara.
“Qeveria Kurti II ka ardhur me premtimin që do ta fuqizoj rolin e sindikatës në nivel vendi, do t’i avancoj të drejta e punëtoreve përmes organizimit sindikal dhe përmes ushtrimit të kësaj të drejte e cila është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Ka ndodhur e kundërta e premtimit elektoral edhe e kundërta e premtimit në programin qeverisës, ka ndodhur cenimi i organizmit sindikal, cenimi i dialogut social, nënçmimi, përçmim edhe denigrimi i krerëve sindikal në kuptim se ata janë të lidhur me një periudhë qeverisje prej 20 viteve të kaluara. Një gjë të tillë e kemi konsideruar të dëmshme për procesin edhe demokratik të Kosovës, rrjedhimisht edhe si aktivitete të dëmshme që e kanë rënduar më shumë jetën e qindra mijëra punëtoreve në Kosovë”, ka thënë ai.
Jakaj ka thënë se ka pasur edhe mungesë të miratimit të projektligjeve të rëndësishme siç është Ligji i Punës, Ligji për Këshillin Ekonomik-Social, Ligji për Inspektoratin e Punës, e ligje të tjera.
“Sot nuk kemi Këshill Ekonomiko-Social për fajin e Ministrisë së Financave, e cila nuk e shpallë konkursin që nga prilli i viti 2023, kur këtij Këshilli i ka skaduar afati. Pra, për katër vite ka pasur mungesë të dialogut social, ka pasur mungesë të mbrojtës kolektive të punëtoreve, në anën tjetër ka pasur edhe mungesë të miratimit të projektligjeve të rëndësishme siç është ai Ligji i punës, Ligji për Këshillin Ekonomik-Social, Ligji për Inspektoratin e Punës, ligje të cilat tash do të duhej të përditësoheshin për shkak se me direktiva të BE-së edhe me opinion e konventa ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës tashmë të drejtat kanë evoluar dhe janë zgjeruar”, ka thënë ai.