Dashuria e piktorit ndaj të errtës dhe fytyrave të lodhura

Prishtinë | 25 Nën 2018 | 22:36 | Nga Ilir Muharremi

Arti i vjetër duhet të ecë me shpirtin modern dhe mosha nuk ka rëndësi. Stili i piktorit ndodhet ndërmjet natyrës dhe historisë dhe kjo natyrë më duket si e imponuar me tendencë të bëhet e përjetshme. Krejt nga ajo më lart që u analizua. Veçse arti është në pajtim me të veçantën dhe universalen. E them universalen, sepse shumë shtete ndiejnë kuriozitet të spikatin arkitekturën dhe jetën e varfër të Kosovës.

Artin e shoh si një revoltë të pastër, një “jo” e madhe ndaj reales, e cila në atë kohë ishte shumë shqetësuese. Kjo dëshmon nga “Profil i një modeleje”, vizatim me laps në letër. Një grua e ulur, me vështrim të humbur, përtej vizatimit, hapësirës, dhomës së zymtë e të errët, e cila mundohet ta ndjekë dritën që vjen matanë hapësirës. E veshur me të zezë, ajo më së miri tregon një ngjarje nga thellësia e shpirtit mëton të theksojë se gjërat kanë zgjatur tepër. Nga kjo mësojmë se te njeriu ekziston një farë kufiri. Këtë kufij e gjejmë në ndjenjën e të revoltuarit. Kjo ndjenjë vjen si autobiografi e artistit – akademik Tahir Emra në ekspozitën personale retrospektivë të hapur ditë më parë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ekspozita u hap me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 60-vjetorit të krijimtarisë artistike të tij. “Emra di ç’kërkon nga ngjyra dhe detaji”, ka shkruar Ali Podrimja. Natyrisht, sepse vizatimet dhe pikturat e tij burojnë nga mendimi intelektual. Vizatimet, veçanërisht portretet, kanë ngarkesa emocionale, sidomos portreti në fjalë, i cili ngulmon me kokëfortësi se në shpirtin e asaj gruaje ka diçka në të që ia vlen dhe aty duhet pasur kujdes. Në sytë e saj shoh edhe një pajtim dhe krahas çdo revolte kjo ekziston, sepse ballafaqohet me ndjenjat rezistente të padëshirueshme. Ajo hesht dhe vazhdon të heshtë, e zhytur në dëshpërim sidomos në lëkurën e saj të rrudhosur dhe kokërdhokët e ekzagjeruar të syve. Edhe pse ajo hesht, në fakt zhurmon dhe heshtja e shpreh shumë mirë atë. Shoh dashuri të piktorit ndaj të errëtës, ndaj fytyrave të lodhura, në pritje. Çfarë pret ajo? Një jetë më të mirë? Lirinë? Të drejtën? Më duket sikur ajo ulërinë duke thënë “jo”, dua të gjykoj. Nuk do të ecë nën kamxhikun e kohës dhe ja erdhi momenti të kundërshtojë. Ajo është në pritje. Këtu fillon edhe themeli krijues i Emrës.

NGJYRAT JANË PLOT HARMONI

Peizazhet janë elegante, të mbushura me figura që klithin, ulërijnë, vuajnë. Veçohet subjekti, drita, lëvizja, stuhia dhe ngjyra. Shoh forma jo të qarta, sfumato, plot mjegull. Ka edhe elemente të klasikes, por ato janë të fshehura mirë brenda bojërave të harmonizuara me struktura të ngjeshura, valer dhe akord tonësh. Herë janë abstrakte e herë ekspresive. Nëse vazhdon të qëndrosh gjatë, përballë një kompozicioni, atëherë do të vrojtosh ekspresionizëm të rregullt, balancuar dhe të formuar. Shoh edhe poetik. Ja një peizazh me bojëra indigo, në thellësi qartësohet vija e horizontit. Ngjyrat janë plot harmoni, kanë tinguj, frymë dhe lëvizje. Ka lojë sa horizontale sa vertikale e krejt kjo rrjedh nga një intelekt shumë i formuar i artistit. Peizazhin e fillon nga vendlindja, sepse realja gjithmonë edhe gjatë historisë së artit ishte e pranishme. Një tjetër peizazh i akullt me të kaltrën, me të bardhën e përzier e të transformuar në thellësi derisa në planin e parë ngjyra e dheut dhe e verdha qëndrojnë mbi kodrat e Gjakovës. Ai sikur nuk mund të ikën nga vendlindja. Ai peizazhin e transformon në ekspresivitetin e brendshëm. Shihet qartë se piktorit po t’ju afronte dhe baltë ai do ta transferonte në vepër arti sidomos në ngjyrë. Vërehet hulumtimi i ngjyrës i shkrirë në tone, pastaj bëhet edhe dekorativ. Dëgjoj edhe tinguj në këtë peizazh të stuhishëm, frymën e cila lëviz hapësirën e natyrës. Është interesante se e bardha dhe e zeza nuk përjashtohen nga paleta e Emrës. Ai është i vetëdijshëm se këto nuk mund t’i gjejmë në peizazhe reale, plot dramë. Pothuajse krejt peizazhet zhvillohen horizontalisht, ngjyrat sikur janë të vendosura njëra mbi tjetrën. Në shtresën përfundimtare kemi prekje të lehta me penelë, sidomos kur figurat i seleksionon: pemët, kodrat, dhe urat. Ato i kornizon me të zezën, një e zezë e fortë. “Tokë e djegur”, “Rekuiem për shokët e vrarë”, “Homazh kitaristi”, “Dritarja e mërgimtarit”, “Rekuim për prindërit e mi” etj. Shoh sfonde të zeza, zymtësi, dhimbje, pastaj dritë, e cila veçohet me të bardhën dhe krejt ka një ndërlidhje, edhe pse janë abstrakte, por jo një asbtraksion shkel e shko, siç jemi mësuar të shohim. Ngjarje nga jeta, personalja, e kaluara, të gjitha i kthen në simbol. Përveçqë çdo ngjyrë ruan biografinë dhe ngjarjen, mund edhe t’i nuhasësh, ta ndjesh aromën e gjakut, erën e dheut, shtëpitë e djegura, drunjtë, gjithçka e bërë hi. Të gjitha këto mendime të revoltuara po pasqyrohen në një univers të mbyllur.

LUFTA KA LËNË GJURMË TEK ARTISTI

Në planin estetik ato shprehin lojën e ngjyrave dhe kontrasteve, ndërsa në atë psikologjik mjediset familjare, vendlindja, kujtimi dhe nostalgjia për shokët e vrarë, malli i mërgimtarit dhe përhumbja e tij në një vend të huaj. Ai pikturon mjegullën mashtruese që ende mashtron. Lufta ka lënë gjurmë tek artisti, i cili ditët më të vështira të saj i kaloi në atelienë e tij, në mbrojtje të veprës dhe vazhdimin më tej të procesit krijues. Sensi i ngjyrës së piktorit Emra i kontribuon bukurisë së imazheve të tij. Tjetra, shprehja e kujtimeve për prindërit, personalja dhe ndjenja për të afërmit bëhet shumë e dukshme dhe ai këto kompozicione i shpreh përmes rrafshimit të planeve, vërehen tonet, pastaj kontrastet si e bardha me të zezën. “Ura e Fshejtë”, “Ura e Trzive në Gjakovë”, “Çarshia në Gjakovë”, “Ura e Tabakut në Gjakovë”, “Gjakova e vjetër” etj. Rrugicat e Gjakovës, kodrat të ngritura në sfond, ballkonet e shtëpive, qëndrojnë estetikisht dhe të mos flas për rregullat proporcionale të perspektivës në këto piktura. Artisti e ilustron mirë urën, e kthjellon, dhe bëhet epiqendra e pikturës. Ndërsa, pjesët tjera janë në mjegull dhe herë-herë në lartësi mund t’i vërejmë ca kulla të mjegulluara. Veprimet këtu humbin dhe piktori procedon në fiksion. Nga vështrimi i thellë, krijoj një përshtypje se fiksioni im mbi urën bëhet i vërtetë dhe kjo arkitekturë në kokën time jep një imazh të gjallë. Objektet më pëlqejnë, sepse i kam parë, por të mbushura me arkitekturë dhe fuqia e artistit është bartja e kujtesës së vjetër të këtyre urave që paraqiten të prekura nga ndjenja e pandalshme e Emrës. Stili i piktorit ndodhet ndërmjet natyrës dhe historisë dhe kjo natyrë më duket si e imponuar me tendencë të bëhet e përjetshme. Krejt nga ajo më lart që u analizua. Veçse arti është në pajtim me të veçantën dhe universalen. E them universalen, sepse shumë shtete ndjejnë kuriozitet të spikatin arkitekturën dhe jetën e varfër të Kosovës. Është sfidë e paeksploruar për ta. Dhe, do të ishte më bukur sikur në kohën tonë artistët t’i kthehen motiveve dhe kohërave të vjetra s’po them krejt primitive, sepse aty ndodhet stilizmi më i fuqishëm dhe uniteti bëhet më provokues. “Natyrat e qeta” kanë sfonde shumë të qarta, neutrale dhe të zeza. Kemi elemente shumë të thjeshta mbi tavolina si gota, vazo dhe ato nuk janë të qarta, të çrregullta, çformësuara dhe identifikohen. Kanë imazhin, ritmin dhe kompozicionin. Vendosjen e enëve e ka bërë shumë të natyrshme, e bukura e kësaj është se nuk shoh ndikim nga Sezani, i cili i vendoste mollët duke u dhënë pamje gjeometrike. Molla konceptohej si topthi. Vazot e Emrës marrin forma gjeometrike të vendosura horizontale dhe vertikale. Këtu shohë kubizëm jo të plotë, sepse vazot ai vetëm i përpunon, duke hequr elementet reale, duke integruar ngjyrën dhe përkufizimet gjeometrike. Vazot i rikonstrukton, të cilat duken edhe si të copëtuara.

ARTISTËT E MOSHUAR NUK DUHET TË HARROHEN

Artistët në moshë mbeten ata që janë, si një shteg i vazhdimit për gjeneratat e reja. Tahir Emra ekspozitën e fundit e kishte më 2014, mu në të njëjtën akademi dhe gjatë gjithë jetës deri më sot ka 21 ekspozita personale. Arti i tij i duhet popullit, sidomos edhe gjeneratave të reja, sepse kemi nevojë për artin e tij. Dhe, nga kjo populli lehtë kënaqet. Ai na rikujton jetesat e vjetra, historinë, fshatrat, qytete e vogla dhe dashuria pikërisht lind nga këto qytete të vogla, dhe a nuk është qyteti i vogël dhe shtëpitë ku banon virtyti i vogël trashëgimtar borgjez, vendi ku dashurohet, madje edhe dashurohet arti? Unë artin e tij e shoh si nevojë të thellë dhe frymëzim, edhe pse artet e reja nuk e aplikojnë një gjë të tillë. Por, edhe ato frymëzohen nga ato që u thanë më lart, vetëm përdorin mediume tjera. Arti i vjetër duhet të ecë me shpirtin modern dhe mosha nuk ka rëndësi. Arti duhet te jetë i pafund. Arti çdo moment shpreh aftësi për shprehje sa më të thellë të gjendjes shpirtërore. Njerëzit e butë, të dobët, pasionantë, të dhunshëm, ndjejnë dobësi ndaj veprave të mëparshme. Në antik mjeshtërve sikur t’u kishin munguar mjetet me të cilat i linin shpirtrat e tyre të flisnin lirshëm, ose disa kushtet teknike, me siguri do të klithin se duhet ndrequr. Shpirti i tyre ka qenë shumë më i madh, i ftohtë dhe armik. Ato vepra të krijuara dhe ato që i krijuan gjeneratat e vjetra dhe që vazhdojnë të krijojnë janë mallëngjyese për kohën dhe ata që erdhën me vonë nuk duhet të jenë mohues, ose të vjetrit mohues ndaj të rinjve. Ata që erdhën më vonë duhet ta kenë të drejtën për t’u dhënë jetë këtyre veprave të vjetra në përputhje me shpirtin e tyre. Nuk duhet t’u japim shpirtin tonë për t’i vazhduar ato Dhe të vazhdojmë mbi korrigjim pa i mohuar t’i thërrasim shumë shpesh në jetë. Nietzsche merr shembull me Bethovenin: “Sikur Bethoveni të kthehej papritur në jetë dhe sikur para tij të ekzekutoheshin veprat e tij, ai do të thoshte, epo kjo gjë që dëgjova nuk është as e imja as jo-imja, por është një gjë e tretë, më duket shumë e mirë, por nuk është ajo e duhura.”Neve na takon ta dëgjojmë dhe ne që tashmë jemi në këtë kohë ta gjykojmë. Kemi të drejtë. Përveçqë duhet krijuar dhe vazhduar cili është qëllimi i çdo artisti të sotëm të arrijë e që nuk mundet? Paraqitja e diçka të pahulumtueshme, asaj që e ndjenë përbrenda, veçantisë. Nuk mund të jesh artist i kohës nëse në vete nuk e gjen forcën moderne.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme