Pas premierës së suksesshme kombëtare në “Dokufest” ku u shpërblye me mirënjohjen special Balkan New comer, çmim ky që ndahet nga Balkan Documentary Center, dokumentari “Drums of Resistance” vazhdoi dje (14 gusht 2016) rrugëtimin e vet për në Sarajevë ku pati premierën ndërkombëtare dhe po garon në mesin e shumë filmave të tjerë pjesëmarrës atje. Suksesi i premierës kombëtare e përcolli edhe premierën ndërkombëtare ku publiku e priti filmin me shumë interesim, emocion dhe komente pozitive.
Ne jemi shumë të lumtur që mbi të gjitha kemi hedhur një hap në rrugën e gjatë drejt qëllimit të përbashkët që një periudhë kaq e rëndësishme e historisë së popullit tonë të mos fshihet nga kujtesa kolektive. Duke pasur parasysh audiencën pjesëmarrëse në të dy premierat, konsiderojmë se qëllimi i dokumentarit është formësuar dhe ka arritur të ketë sadopak ndikimin e vet.
“Drums of Resistance” është dokumentar i realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kinematografike të Kosovës, QKK, Culture For All – Phase III, Fondacionit Hearterfact dhe Komunës së Prishtinës. Narrativa e tij shpaloset përmes bisedave joformale mes njerëzve të grupmoshave dhe prapavijave të ndryshme të cilat rrëfejnë në dimensione dhe nga perspektiva të ndryshme realitetin paralel që ishte ndërtuar në Kosovë gjatë viteve 1990 pas politikave segregative dhe aparteidit të cilat u bënë normë e imponuar nga regjimi i atëbotshëm në Kosovë.